Kështu caktohet termini i vaksinimit për fëmijë 12-15 vjeç

- Bota Sot

Kështu caktohet termini i vaksinimit për fëmijë 12-15 vjeç

Ministria e Shëndetësisë ditë më parë njoftoi se fëmijët e moshës 12-15 vjeç mund të vaksinohen kundër COVID-19.

Mirëpo, këtë nuk mund ta bëjnë personalisht në platformën eKosova. KosovaPress ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar sqarim rreth aplikimit të kësaj kategorie.

Në përgjigjen e MSh-së thuhet se për marrje të vaksinës për fëmijët e moshës 12-15 vjeç, të cilët kanë ndonjë sëmundje kronike ose imunitet të komprometuar, kanë të drejtë të aplikojnë prindërit ose kujdestari ligjor i fëmijës.

“Meqë bëhet fjalë për fëmijë me sëmundje kronike, prindi mund të aplikojë për ta nga kategorie ‘me sëmundje kronike’, por mund të shkojë në QKMF ta caktojë edhe fizikisht terminin për vaksinim, duke qenë që fëmijët me indikacione shëndetësore janë me prioritet”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për KosovaPress.

MSh bën të ditur se interesimi i kategorisë deri në 20 vjeç është rritur dukshëm dhe se brenda kësaj kategorie ka studentë, teknikë e infermierë dhe kategori të tjera, pa i përjashtuar edhe ata 12-15 me sëmundje kronike.

“Sigurisht që ka interesim, sepse prindërit janë interesuar me kohë për vaksinimin e fëmijëve të tyre të cilët e kanë imunitetin e komprometuar apo që kanë sëmundje kronike. Te kategoria 0-20 vjeç, numri më i madh i të vaksinuarve brenda kësaj kategorie është 18+, ku ka studentë, teknikë e infermierë dhe kategori të tjera, pa i përjashtuar edhe ata 12-15 me sëmundje kronike”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.



Lexoni të gjitha në Bota Sot