Kjo pyetje duhet të shtrohet për Biden-in, Macron-in, Merkel-in e Johnson-in/ Hyseni vë në pikëpyetje kredibilitetin e Borrellit pas reagimit të djeshëm

- Bota Sot

Kjo pyetje duhet të shtrohet për Biden-in, Macron-in, Merkel-in e Johnson-in/ Hyseni vë në pikëpyetje kredibilitetin e Borrellit pas reagimit të djeshëm

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni tha se përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell, me deklaratën e tij të pakuptimtë rreth veprimeve operative të organeve të drejtësisë së Kosovës në veri, me apo pa vetëdije, u vu në mbrojtje të krimit në një pjesë të vendit tonë.

Ai në një postim në Facebook tha se është tërësisht e papranueshme deklarata e djeshme e z. Borrell.

“Kjo deklaratë ishte si "një referim penalltie kundër Kosovës, 25 metra larg portës, në minutën e nëntëdhjetë të lojës". Pyetja thelbësore që duhet shtruar këtu është nëse Borell ka kredibilitetin për të qenë një ndërmjetës i paanshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Pas deklaratës së djeshme kjo dilemë bëhet akoma më e madhe. Mirëpo, më parë se nga ne, përkatësisht nga qeveria e Kosovës, kjo pyetje duhet të shtrohet nga Presidenti Biden, Presidenti Macron, Kancelarja Merkel, Kryeministri Johnson, dhe zyrtarë të lartë të BE-së, sepse Kosova nuk e ka fuqinë e ndikimit e edhe më pak të vendimmarrjes në ketë çështje”, tha ai.

Hyseni theksoi se Borell nuk mund të sillet sikur të ishte prokuror apo komandant policie në Kosovë.

Me deklaratën e djeshme, duke u vënë në anën e krimit, Borell shkeli edhe mbi njërën nga vlerat themeltare të BE-së për rend e ligj. Ai duhet ta di se organet e rendit dhe ligjit në Kosovë janë sovrane dhe nuk duhet te marrin miratimin e askujt për të luftuar krimin në territorin e saj. Aq më pak miratimin e Serbisë, e cila, në fakt edhe është sponspori kryesor kriminalitetit në një pjesë të vendit tonë”, potencoi ish ministri i jashtëm.

Ai u shpreh se Qeveria e Kosovës dhe organet e drejtësisë janë dhe duhet të jenë tërësisht sovrane në veprimet e saja operative kundër krimit.

Në të njëjtën kohë, ajo, pra Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme dhe syhapur dhe të mos lejoj një fait accompli që aq shumë e dëshiron Serbia, e pse te mos thuhet, edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare”, nënvizoi Hyseni duke shtuar se dialogu Kosovë - Serbi duhet të përmbyllet me një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë në kufijtë ekzistues.

Ai u shpreh se qellim parësor duhet të jetë hapja e rrugës së integrimit edhe të Kosovës, e edhe të Serbisë në BE, si dy shtete të pavarura.

Pra, çështja thelbësore midis Kosovës dhe Serbisë duhet adresuar pa u vonuar. Sidoqoftë, vlerësoj se çdo opsion që promovon ide për ndarjen e Kosovës, apo çfarëdo forme këmbimi territoresh, që prek kufijtë e tashëm të Republikës së Kosovës është i papranueshëm dhe i rrezikshëm.

Kosova është shtet multi-etnik, i të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në te. “Status-Quo”-ja nuk është nuk duhet të pëlqehet nga Kosova sepse shkon kundër interesave të saj, derisa është pikërisht Serbia e cila e pëlqen status-quonë, në pritje të ndonjë mrekullie në formën e një ambienti dhe konteksti politik të përshtatshëm për imponimin e pretendimeve të saja politike e territoriale ndaj Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Hysenit, për Kosovën zgjidhja përfundimtare e kontestit historik e politik me Serbinë, e që në thelb është edhe kontest midis shqiptarëve dhe serbëve, është jetike.

Kontesti Kosovë Serbi, nuk duron zgjidhje parciale. Qeveria e Kosovës nuk duhet të zbatojë asnjë marrëveshje apo zgjidhje parciale. Pra, një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë, është e domosdoshme në mënyrë që këto dy vende të mund të zbatojnë marrëveshjet parciale për çështje të veçanta. Pra, dialogu duhet të vazhdoj dhe të mbyllet me njohje të plotë të shtetit të Kosovës nga Serbia”, theksoi ai.

Skender Hyseni rikujtoi se gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me një vendim bindës, ka konkluduar me 22 korrik 2010, se shpallja e pavarësia së Kosovës nuk ka shkelur asnjë normë të aplikueshme të Drejtës Ndërkombëtare.

“Pra, Kosova është shtet i pavarur brenda kufjeve të saj ekzistues. Ky është një realitet politik i pakthyeshëm dhe i panegociueshëm. Prandaj, Çfarëdo kontributi dhe ndihmese për arritjen e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Serbi, që mëton të merret seriozisht, duhet të ndërtohet mbi këtë premisë fundamentale”, përfundoi ish ministri i jashtëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot