Banorët e Hoçës së Qytetit protestojnë lidhur me punimet në rrugën Prizren-Tetovë

- Gazeta e Prizrenit

Banorët e Hoçës së Qytetit protestojnë lidhur me punimet në rrugën Prizren-Tetovë

Një javë më parë filluan punimet për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, ndërkaq banorët e fshatit Hoçë e Qytetit shprehen të pakënaqur me mënyrën se si kanë filluar këto punime.

Arif Krasniqi, Rasim Krasniqi e Hidaim Berisha theksojnë se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por sipas tyre informatat lidhur me ndërtimin e rrugës janë të mangëta dhe çmimet e ofruara nga Qeveria për shpronësimin e pronave të tyre janë shumë të ulëta.
Ata, gjatë protestës që realizuan të martën, kërkuan që punimet të ndalen, deri sa të merret një vendim për zgjidhjen e problemit të tyre. Inxhinieri i kompanisë që po zhvillon punimet në këtë projekt, Gani Jakupi, tha se nuk është kompetencë e punëtorëve të vendosin nëse duhet ndalur punimet e filluara. Gjatë protestës, banorët e fshatit Hoçë e Qytetit u vizituan nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Lexo edhe:

MKRS-ja padit Komunën e Prizrenit për rrënimin e kompleksit “Saraji i Vjetër”

Protestuesit janë njoftuar se pavarësisht pakënaqësive që kanë, punimet duhet të vazhdojnë, derisa pagesat për shpronësimin do t’ju ekzekutohen më së voni brenda dy viteve.

Projekti për ndërtimin e kësaj rruge që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 llote. Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km./TV Prizreni/



Read it all at Gazeta e Prizrenit