Ka skaduar afati për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga Serbia për Kosovën në ato RKS. Deri tash, sipas të dhënave që ka ofruar Policia e Kosovës, janë konvertuar 6509 patentë shoferë.
Në listën aktuale, të ndarë në qytete, prin Komuna e Leposaviqit me mbi 2000 patentë shoferë të konvertuar. Pas saj janë Mitrovica e Veriut dhe Zveçani. Në ditën e fundit u konvertuan 184 patentë shoferë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës pati vendosur që nga 9 maji sivjet ta lejojë konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS me disa lehtësira, duke eliminuar procesin e nënshtrimit të provimit për patentë shoferë.
Procesi ishte paraparë të përfundonte më 9 gusht, por u shty për shkak “të kërkesave të shumta të qytetarëve”.
Nga e hëna, më 26 gusht, Policia e Kosovës do të nisë shqiptimin e gjobave nëse dikush prezanton patentë shoferi të lëshuar nga Serbia për qytetet e Kosovës. Gjobat për mospasje të patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova variojnë nga 500 deri në 1.500 euro.