Rinovohen në tërësi hapësirat e Klinikës Emergjente

- Bota Sot

Rinovohen në tërësi hapësirat e Klinikës Emergjente

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të shoqëruar nga drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, do të marrin pjesë në ceremoninë e përurimit të Klinikës Emergjente, ku në tërësi iu janë rinovuar hapësirat.

Përmes investimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, hapësirat e Klinikës Emergjente i janë nënshtruar një renovimi të tërësishëm, hapësira këto që do të jenë më lehtë të qasshme për stafin dhe qytetarët që marrin shërbime.

Bazuar në të dhënat në prokurimin publik vlera e kontratës për rinovim të emergjencës është 779 mijë euro.

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, vazhdon ta ketë barrën kryesore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore emergjente për pacientët e Kosovës.

Bazuar në raportin gjashtë mujor të punës, 46 mijë e 769 pacientë kanë marrë shërbime shëndetësore, prej tyre 4 mijë e 770 pacientë janë pranuar për trajtim të mëtejmë në klinika të ndryshme internistike dhe kirurgjike.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, mbi 10 mijë pacientë janë trajtuar në reanimim, 15 mijë ne shërbimin internistik, 7 mijë e 505raste kirurgjike, mbi 10 mijë pacientë në shërbimin ortopedik.

Po ashtu, për këtë periudhë kohore janë kryer 636 operacione në sallat operative dhe mbi 3 mijë raste në sallën e vogël të intervenimeve.

ShSKUK ka përmirësuar dukshëm furnizimin me barna dhe material shpenzues, ku me prioritet të lartë është furnizuar Klinika Emergjente.

Duhet të theksohet se ShSKUK ka marrë masa bashkë me spitalet e përgjithshme, që rastet emergjente që mund të marrin trajtimin në spitalet e përgjithshme, mos të referohen në QKUK.



Read it all at Bota Sot