Fyeu e shau UÇK-në dhe nënat shqiptare, i akuzuari pranon fajësinë

- Gazeta e Prizrenit

Fyeu e shau UÇK-në dhe nënat shqiptare, i akuzuari pranon fajësinë

Sot, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Sasha Zllatkoviq ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën se nxori në rrjete sociale një video-xhirim, ku fyhej logoja e UÇK-së dhe nënat shqiptare.

“Ndihem fajtor dhe unë e kam pranuar menjëherë fajin tim, nuk ka qenë e qëllimshme nuk është dashur të ndodh kështu, por ka dalë qysh ka dalë dhe në fund pendohem për këtë që ka ndodhur”, tha i akuzuari Zllatkoviq.

Një deklarim të tillë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk u kundërshtua nga prokurorja Krasniqi-Fejzullahu e as nga mbrojtësi i tij, avokati Shyqri Syla, të cilët i propozuan gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë.

Gjykatësi i rastit Kushtrim Shyti mori aktvendim me të cilin u aprovua pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas tij janë përmbushur kushtet ligjore për një pranim të tillë.

Lidhur me shqiptimin e sanksionit penal, avokati Syla kërkoi nga gjykata që me rastin e matjes dhe llojit të dënimit të merren parasysh edhe një mori rrethanash lehtësuese, duke propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim me gjobë ose dënim me burgim të cilin do ta zëvendësojë me gjobë, e me të cilin sipas tij do të arrihet në tërësi qëllimi i dënimit.

Si rrethana lehtësuese, avokati Syla përmendi faktin se i mbrojturi i tij është i moshës së re, është hera e parë që i njëjti është ndeshur me ligjin, pendimin e tij dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të përsërisë veprime të tilla.

Gjithashtu ai i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit duke konsideruar se kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar dhe vazhduar kjo masë.

Në anën tjetër, prokurorja Krasniqi-Fejzullahu tha se përveç rrethanave lehtësuese që sipas saj në këtë rast ekzistojnë, ajo kërkoi nga gjykata që të merret parasysh edhe rrethana rënduese, duke theksuar se fatkeqësisht lloji i kësaj vepre penale është shndërruar edhe në dukuri për faktin se këto veprime ndikojnë edhe në acarimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 gusht 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Sasha Zllatkoviq, i cili akuzohet se me dashje ka nxitë, përhapë publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim në mes grupeve kombëtare.

Sipas aktakuzës, këto veprime i njëjti i ka bërë më 26 korrik 2024, në Deçan, derisa ai ishte duke lëvizur me veturën e tij të markës “Polo” dhe nga vetura e tij ka realizuar një video-incizim me telefon një veturë para tij e tipit “Golf 3”, e cila prapa kishte të vendosur emblemën e UÇK-së, e më pas i njëjti iu kishte drejtuar me fjalët në gjuhën serbe (përkthyer shqip: “Shikoni se si terroristët e UÇK-së vozisin nëpër Deçan, njeriu ka stemën e UÇK-së, sikur me mbajt stemën e Zvezdës e Partizanit, jav q*** nënën shqiptarëve e stërvinave, e ishalla e godet dikush nga mbrapa”.

E këtë video-incizim, aktakuza thotë se e ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social “Tik-Tok”.

Me këto veprime, Zllatkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi



Read it all at Gazeta e Prizrenit