Komuna e Prizrenit dy ditë më parë ka përuruar rinovimin e Shtëpisë së Kulturës, e cila mban emrin e dëshmorit dhe veprimtarit të madh, Xhemajli Berisha tash e gati 25 vite.
Megjithatë, që pas këtij rinovimi, jo çdo gjë ka shkuar si është më së miri dhe kjo ka hasur në kundërshti.
Janë pikërisht familja e ish-profesorit e atdhetarit të shquar, Xhemajli Berisha, të cilët kanë bërë një reagim publik, sipas të cilëve është njëllosur emri i tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Nëpërmjet një reagimi, familjarët kanë bërë të ditur se Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport së bashku me Kryetarin e Kuvendit Komunal të Prizrenit kanë shkuar deri në atë pikë sa objektin e Shtëpisë së Kulturës në Prizren të ndajë në dy institucione, atë të Shtëpisë së Kulturës dhe Teatrit Bekim Fehmiu.
Sipas të njëjtëve, ata s’kanë asgjë kundër Teatrit “Bekim Fehmiu”, megjithatë nuk do të lejojnë vendosjen e emrit të teatrit ashtu siç e kanë bërë pa dijeninë e askujt në muret e Shtëpisë së Kulturës ne Prizren.
“Si familjarë po ua themi shkurt e qartë nuk jemi kundër teatrit “Bekim Fehmiu”,duhet ta keni të qartë që shtëpia e kulturës është institucion për kulturë e cila përfshinë dhe teatrin e qytetit të Prizrenit, por nuk lejojmë vendosjen e emrit te teatrit ashtu siç e keni bërë pa dijeninë e askujt në muret e shtëpisë së kulturës ne Prizren, sepse ato mure kanë vetëm një emri kanë emrin e artë të Profesorit Xhemajli Berisha”, thuhet në njoftim.
Ata e kanë quajtur këtë një “pafytyrësi” nga komuna e Prizrenit, dhe se nuk do të heshtin, e veç tjerash i kanë bërë thirrje Komunës që të marrin hapa të menjëhershëm për largimin e pllakës me emrin e Teatrit “Bekim Berisha”, në të kundërtën janë të “detyruar të marrin veprime për të cilat nuk do të marrin përgjegjësi”.
“Ju lusim që të merrni hapa të menjëhershëm të largoni pllakën më emrin e Teatrit te Prizrenit “Bekim Fehmiu” dhe të vendoset emri i Profesor Xhemajli Berishës dhe ta kuptoni një herë e mirë që ajo shtëpi ai institucion ka vetëm një emër, përndryshe ne si familje jemi të detyruar të marrim veprime për të cilat nuk do të marrim përgjegjësi”, thuhet ndër të tjerash.
Më poshtë reagim i plotë pa ndërhyrje:
Reagim
Nga Familja e Heroit te Kombit Xhemajli Berisha
Luftën e bëjnë heronjët, qeverisin maskarenjët, përfitojnë horrat…
Dëshmorët nuk vdesin kurrë, ata kanë vetëm ditëlindje i tillë ishte edhe profesori Xhemajli Berisha emrin e te cilit e mban me nder e krenari Shtepia e Kultures në Prizren tash e pothuajse 25-së vite, emër ky që sa herë të përmendet qytetarët e qytetit po dhe mbarë Kosovës e kujtojnë për profesorin e nderuar për atëdhetarin e shquar, të atij njeriu që dha jetën për liri.
E sot mu në vigjilje të 28 Nëntorit, festës së Flamurit tone të kuq i cili mbartë në vete gjakunë e mijrave dëshmorëve ndër ta dhe gjakun e profesor Xhemajliut, është bërë përurimi i Shtëpisë së Kulturës e cila ishtë në renovim pothuajse që dy vite.
Eshtë për tu habitur se si Drejtoria per Kulturë Rini dhe Sport së bashku me Kryetarin e Kuvendit Komunal kanë aritur deri në atë pikë sa objektin e Shtëpisë së Kulturës në Prizren e ndajë në dy institucione, atë të shtëpisë së Kultures dhe teatrit Bekim Fehmiu.
Athua pse e bënë, athua kujt i premtuan… apo se jemi në kohë fushate e ju duhen më shumë emra për tu shëndërruar në vota.
Por jo më…..
Heshtem kur tentuat ta ulnit figurën e Profesor Xhemajli Berishës duke e ndarë nga agjendat komunale sa herë që vijnë festat,vit pas viti , pushtet pas pushteti veteran pa vlera, nuk keni bërë homazhe para bustit të Heroit të Kombit Xhemajli Berisha, por jemi te bindur që sa herë kaloni para busit të tij kaloni kokëulur,
Heshtem sa here nuk e kujtoni veprën e Profesorit në përvjetore,
Heshtem kur tentuat ta blini(ashtu siq jeni mësuar)familjen për të shtrejtat votat tuaja….
Por jo më.
Si familjarë po ua themi shkurt e qartë nuk jemi kundër teatrit “Bekim Fehmu”,duhet ta keni të qartë që shtëpia e kulturës është institucion për kulturë e cila përfshinë dhe teatrin e qytetit të Prizrenit,por nuk lejojmë vendosjen e emrit te teatrit ashtu siq e keni berë pa dijeninë e askujt në muret e shtëpisë së kulturës ne Prizren, sepse ato mure kanë vetëm një emri kanë emrin e artë të Profesorit Xhemajli Berisha.
Për që ju kanë errësuar sytë për pushtet e ju ka kapluar e liga, e jeni zhytur në lakmi atë po e dimë por ç’punë keni vallë me dëshmorin…apo ndoshta mund edhe tu jap të drejtë sepse ju nuk e dini se kush janë dëshmorët e vërtetë e kush ka kontribuar për këtë liri që sot po e gëzojmë, ju njihni vetëm shokët tuaj të intëresit, dhe profesorët e vetëquajtur që ua nënshkruan diplomat natën.
Si familje po e përsërisim që e keni arritur kulmin e paftyrësisë por nuk do të hështim më, ashtu siq nuk heshtëm edhe ne kohën e okupatorit serb e që profesor Xhemajliut i Kushtoj me jetë.
Këtë reagim kishte qenë e rrugës ta bënin Shoqatat e Dala nga Lufta ajo e Familjes së dëshmorëve, por kontributi i tyre i vetëm është mbijetesa pasi që pot u drejtohesh përgjigja e tyre e vetme është ne nuk kemi asgjë në dorë, neve nuk ka pyet askush, dhe është për të të ardhur keq për pozicionin e tyre kukull brenda shoqatave te kapur nga politika lokale.
Dëshmorët nuk dhanë jetën që sot ju ti vlerësoni ti ngritni apo ti ulni veprat e tyre, ata emrin e tyre e quan në përjetësi duke dhënë më të shtrejtën jetën
Ju lusim që të mërrni hapa të menjëhërshëm të largoni pllakën më emrin e Teatrit te Prizrenit “Bekim Fehmiu” dhe të vendoset emri I Profesor Xhemalji Berishës dhe ta kuptoni një herë e mirë që ajo shtëpi ai institucion ka vetëm një emër, përndryshe ne si familjë jemi të detyruar të marrim veprime për të cilat nuk do të marrim përgjegjesi….
Historinë se betë ju por së paku nderoni veten duke i kujtuar ata….