Rekomandohet suspendimi i tre policëve, Inspektorati jep detaje

- Bota Sot

Rekomandohet suspendimi i tre policëve, Inspektorati jep detaje

Inspektorati Policor i Kosovës, i ka rekomanduar Policisë që t’i suspendojë tre zyrtarë policorë në Mitrovicën e Jugut.

Dyshohet se ata janë përfshirë në një rast si të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

“Incidenti raportohet të ketë ndodhur në Mitrovicë pas mesnatës së datës 2 mars 2025 kur zyrtarët e dyshuar (jashtë detyrës zyrtare por me uniformë) me veturë private kishin ndaluar një automjet me arsyetimin për një kundërvajtje afër sheshit “Isa Boletini” në Mitrovicë duke arrestuar dhe pas kësaj kishin njoftuar një njësi policore në detyrë dhe kishin shoqëruar në stacion policor njërin nga pasagjerët e veturës së ndaluar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Bazuar në hetimet fillestare, hetuesit e inspektoratit, dyshojnë se njëri nga zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast ka pasur probleme të natyrës personale me qytetarin e arrestuar.

“Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për këtë rast”, thuhet tutje në njoftim.



Read it all at Bota Sot