Ditët e fundit kanë dëshmuar se Qeverisja lokale e Shaqir Totajt në Prizren po shkon drejt fundosjes gjithnjë e më të thellë në një krizë legjitimiteti, duke i dhënë fund iluzionit të dikurshëm të “menaxherit me diplomë të Obamës” – një etiketë propagandistike që moti ka tingëlluar bajate dhe pa peshë, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Në vend të menaxhimit transparent dhe efikas, qytetarët po përballen me një administratë të kapur nga skandalet dhe klientelizmi. Arrestimi i një zyrtareje të rëndësishme të Drejtorisë së Urbanizmit, Shpresa Osmanollajt, aktakuzat nga Prokuroria ndaj shtatë zyrtarëve të tjerë, konfrontimet e raportuara fizike mes këshilltarëve të Totajt, informacionet për hetime të tjera, raportimet e meidave se Përmbaruesi privat ia zbrazi arkën Komunës së Prizrenit, duke ia marrur 2.5 milionë euro, pastaj politizimi e degradimi i arsimit, politizimi i sportit e reflektimet e gjendjes në KF “Liria”, si dhe ndarja selektive e subvencioneve për OJQ-të që më shumë ngjan me “aksham pazaret” e votave sesa me politika publike – janë simptoma të një qeverisjeje të degraduar. Kjo situatë nuk përbën thjesht një problem etik apo ligjor, por një kërcënim serioz ndaj vetë besimit të qytetarëve në institucionet lokale – një besim që Totaj dhe ekipi i tij duket se e kanë humbur përfundimisht.
A ka strategji veprimi opozita përballë skandaleve në Komunën e Prizrenit?
Opozita në Prizren më në fund po jep shenja jete, pas një kohe apatie dhe mungese ndikimi real në terren. Aksioni i fundit simbolik i Vetëvendosjes para selisë së kryetarit Totaj me moton “Shtëpia e Bardhë – Zonë e Krimit”, padyshim riktheu vëmendjen tek dështimet e kryetarit. Edhe pse mesazh i fortë në pamje të parë, ky veprim vjen si nevojë emergjente për të dalë nga hija e pasivitetit që e ka karakterizuar opozitën e këtushme dy vitet e fundit.
– Nëse ky aksion do të shërbejë si fillimi i një strategjie më të qëndrueshme dhe të organizuar opozitare, apo thjesht si një reagim për konsum ditor, mbetet të shihet?!. Por një gjë është e qartë: prizrenasit nuk kanë më durim për opozitë që reagon vetëm për simbolika, e aksione që nuk shoqërohen me veprim konkret politik, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Opozita lokale në këtë situatë duhet të fokusohet në:
Hulumtim paralel dhe Transparencë: Krijimi i një grupi të posaçëm nga partnerët opozitarë, i cili ndjek nga afër të gjitha kontratat, shpërndarjet e subvencioneve dhe vendimet e dyshimta në komunë, si dhe demaskimin e propagandës nga një dyzinë njerëzish përfitues e servilë, do të ishte një hap i rëndësishëm për të informuar publikun me fakte.
Thirrje për llogaridhënie publike: Organizimi i debateve, tryezave dhe konferencave për të kërkuar përgjegjësi konkrete nga pushteti lokal, para qytetarëve.
Koordinim me nivelin qendror dhe mediat: Ndërlidhje me deputetët dhe mekanizmat institucionalë për të sjellë këto çështje në agjendën vendore, si dhe bashkëpunim me media serioze për ekspozim të rasteve.
Përgatitje për zgjedhje me program e vizion: Përballë një pushteti që duket se po përdor paratë publike për të joshur votuesit për zgjedhjet lokale të vjeshtës, opozita duhet të jetë e pranishme në çdo lagje e fshat me një alternativë të qartë dhe të besueshme, duke mbajtur në vrojtim pushtetin. Në ketë kontekst e ka shumë të lehtë sidomos Vetëvendosja, për shkak të numrit komod të votave dhe rezultatit inkurajues që ka marrë në zgjedhjet e fundit qendrore në shkurt, në komunën e Prizrenit, ku, ndër të tjera, kryetarin Totaj — një person i njohur si vetlavdërues — jo vetëm që e ka mundur dyfish në bastionin e tij, në Has, por, për më keq, në vendlindjen e tij, në Gjonaj, e ka spostuar në vendin e tretë, pas LDK-së, që doli e dyta.
Gjithsesi në kohë si kjo, qytetarët kanë nevojë për zëra që nuk heshtin përballë padrejtësisë, veprime konkrete e jo vetëm me deklarata.
Prizreni meriton më shumë, jo vetëm dekor propagandistik. Tani është koha që opozita të tregojë se është e gatshme ta ofrojë alternativën konkrete, aq më tepër kur bëhet fjalë për një realitet të thënë se vendimmarrja nuk është në zyrën e kryetarit Totaj, të cilin vetë opozita dhe shumë qytetarë, sidomos pas transmetimeve të fundit hulumtuese, e konsiderojnë si një “kryetar kukull”. / Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe:
Prizren: Prokuroria kërkon paraburgimin e zyrtares komunale të urbanizmit për keqpërdorim