Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Prizren, në bashkëpunim me Njësitin Kundër Trafikimit me Narkotikë dhe me përkrahjen e Njësive të Reagimit të Shpejtë (NJRSH) nga Prishtina, Gjekova dhe Ferizaji, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, mbrëmë kanë realizuar një operacion të planifikuar me kontrolle të befasishme të personave në disa lokale dhe automjete në lagje të ndryshme të qytetit të Prizrenit.
Ky operacion është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, i cili ka për qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme e dukurive negative gjatë sezonës verore.
Gjatë këtij operacioni, të paktën tek një person është gjetur një thikë brezi. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, dhe ndaj tij është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitete të tilla në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike për të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë sezonit të verës.