Komuna e Prizrenit synon të angazhojë 14 konsulentë për tri vite përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta apo Kontrata mbi vepër, me një vlerë të përgjithshme prej 327,600 euro.
Komuna e Prizrenit synon të angazhojë 14 konsulentë për tri vite përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta apo Kontrata mbi vepër, me një vlerë të përgjithshme prej 327,600 euro.
Demokraci Plus (D+) kërkon anulimin e këtij tenderi, pasi punët për të cilat kërkohen konsulentët nuk janë shërbime të veçanta, por punë të përditshme të administratës komunale, të cilat duhet të mbulohen përmes konkurseve të rregullta të punësimit.
Dosja e tenderit me numër 622-26-5203-2-1-1 tregon se konsulentët do të angazhohen për shqyrtimin e aplikimeve për legalizim, verifikimin e dokumentacionit, përgatitjen e raporteve dhe punë të përditshme administrative. Këto janë detyra që i kryejnë çdo ditë zyrtarët e komunës dhe nuk paraqesin ekspertizë të veçantë që kërkon angazhim të jashtëm. Edhe kohëzgjatja e kontratave prej 36 muajsh tregon se bëhet fjalë për nevoja të vazhdueshme të institucionit, e jo për një angazhim të përkohshëm dhe specifik.
Neni 56 i Rregullores për Prokurimin Publik lejon përdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta vetëm kur një institucion ka nevojë për ekspertizë që nuk mund ta sigurojë me stafin e brendshëm.
Për këtë arsye, D+ i bën thirrje Komunës së Prizrenit ta anulojë këtë tender dhe, nëse këto pozita janë të nevojshme në mënyrë të vazhdueshme, t’i plotësojë ato përmes procedurave të rregullta të punësimit.
Njëkohësisht, D+ u bën thirrje institucioneve përgjegjëse ta shqyrtojnë këtë procedurë dhe të sigurojnë zbatimin e legjislacionit për prokurimin publik.
Deklaratë mohuese: Ky reagim publik është publikuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Demokraci Plus (D+) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Projekti “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe efiçiencës në shpenzimin e parasë publike përmes prokurimit publik në Kosovë” i financuar nga BE, zbatohet nga D+.