Një 24-vjeçar, shtetas i Republikës së Shqipërisë, ka përfunduar në prangat e Policisë në Prizren, pasi ndaj tij dyshohet se rëndojnë disa raste penale, ndërsa rezultonte edhe në kërkim policor për një rast të mëhershëm, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Kleus Mulleti, 25 vjeçar.
Mulleti është ndaluar dje, më 5 shtator, rreth orës 07:10, ndërsa verifikimet dhe veprimet e mëtejshme policore kanë nxjerrë se ndaj tij janë iniciuar dy raste të reja.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 24-vjeçari po dyshohet për një rast “Grabitje e mbetur në tentativë”, që lidhet me një incident të ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 5 shtatorit, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
Por ky nuk është rasti i vetëm për të cilin emri i tij ka përfunduar në dosjet e Policisë.
Ndaj Mulletit është iniciuar edhe një rast për “Vjedhje të rëndë”, ndërsa gjatë verifikimit ka rezultuar se ai ishte në kërkim policor edhe për një tjetër rast të mëhershëm të “Vjedhjes së rëndë”.
Kështu, 24-vjeçari po lidhet me tri raste të ndara – një tentim-grabitje dhe dy raste të vjedhjes së rëndë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka vendosur që Mulleti të ndalohet për 48 orë, konkretisht lidhur me rastin e grabitjes së mbetur në tentativë.
I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejshme hetimore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.