Mungesa e sinjalistikës rrugore dhe trotuareve po paraqet rrezik për nxënësit dhe stafin mësimdhënës në disa shkolla të Hasit të Prizrenit. Banorët thonë se automjetet qarkullojnë me shpejtësi të lartë pranë objekteve shkollore, ndërsa në disa raste ata janë detyruar të ndërhyjnë vetë për të rritur sigurinë.
Në fshatin Bregdri, prindërit thonë se problemi i mungesës së trotuarit është i kahmotshëm dhe se kërkesat e tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk janë adresuar.
Banori i Bregdrinit, Fatbardh Qollaku, thotë se për ndërtimin e trotuarit është kërkuar ndërhyrja e Komunës së Prizrenit, por projekti, sipas tij, nuk është realizuar.
“Këtë problem e kemi qysh moti, çështjen e trotuarit. Kemi bërë kërkesë ndër fshatrat e para të Hasit për me e realizu këtë projekt, por nuk u bë asnjëherë. Do të thotë, Komuna e Prizrenit e ka përfundu deri në fshatin Krajk. Na janë rreziku fëmijët, kemi pasur shumë raste. Vetëm vitin e kaluar, aty ku e kam shtëpinë unë, ka pasur katër aksidente”, ka thënë Qollaku.
Gjendja, sipas banorëve, bëhet edhe më e vështirë gjatë reshjeve të shiut, kur qarkullimi i këmbësorëve në këtë pjesë të rrugës është më i rrezikshëm.
Kreshnik Qollaku, prind i tre fëmijëve që ndjekin mësimin në shkollë, thotë se familjet shpesh detyrohen t’i dërgojnë fëmijët me automjete për shkak të mungesës së kushteve të sigurta për ecje.
“Jemi paksa të lodhur me shtetin apo komunën, thuaj si të duash, sepse s’kemi kujt me ia lënë fajin. Faji hidhet herë andej e herë këndej. Zakonisht është problem me trotuar, edhe i biem edhe i marrim fëmijët me makina. Sidomos kur ka shi, është shumë rrezik”, ka deklaruar ai.
Probleme të sigurisë paraqiten edhe pranë shkollës “Mit’hat Frashëri” në Krajk, ku mësimin e ndjekin fëmijë nga mosha trevjeçare deri në klasën e nëntë.
Drejtori i kësaj shkolle, Hemë Çoçaj, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet që të ndërtohet një nënkalim ose mbikalim për nxënësit, pasi shkolla ndodhet pranë një rruge kryesore që lidh Krajkun me pjesë të tjera të Hasit.
“Ne kemi kërkuar vazhdimisht edhe nga Drejtoria e Arsimit edhe Kuvendi Komunal që të ketë një nënkalim apo mbikalim, për shkak se nxënësit rrezikohen, sepse është rrugë kryesore, Krajkun dhe gjithë Hasin e lidh, kjo nuk është bërë”, ka thënë Çoçaj.
Banorët thonë se mungesa e sinjalistikës është evidente edhe në rrugët që janë ndërtuar apo rregulluar me kontributin e vetë komunitetit.
Kryetarja e katër fshatrave, Marte Prekpalaj, thotë se banorët e Hasit kanë mbledhur mbi 670 mijë euro për shtrimin e rrugës, por tani kërkojnë që ajo të bëhet më e sigurt për fëmijët.
“Mbi 670 mijë euro i kemi mbledhur ne hasjanët dhe e kemi shtruar këtë rrugë vetë, por nuk e kemi shtruar këtë rrugë me na i mbyt fëmijët. Tash shihni, as nuk ka sinjalizim, shenjat e shkollës, vijat e bardha janë shlyer. Dy pengesa i kanë bërë fshatarët, ju tregojmë sa u kanë kushtuar”, ka deklaruar Prekpalaj.
Nga Komuna e Prizrenit thonë se vendosja e sinjalistikës pranë shkollave është duke u realizuar në faza.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri, ka thënë se fillimisht po punohet në shkollat e qytetit të Prizrenit, ndërsa më pas ndërhyrjet do të vazhdojnë edhe në fshatra.
“Jemi duke punuar në shkollat në qytetin e Prizrenit. Në të gjitha shkollat jemi duke vendosur shënjimin vertikal dhe horizontal. Në momentin që do të përfundojë në qytet, do të vazhdojë edhe në fshatra. Do të vendosen të gjitha shënjimet në afërsi të shkollave, në të gjitha rrugët ku është nevoja të vendosen”, ka thënë Ukimeri.
Deri në përfundimin e këtyre ndërhyrjeve, banorët kërkojnë masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë në rrugët pranë shkollave, veçanërisht në zonat ku qarkullohet me shpejtësi të lartë dhe ku mungojnë trotuaret dhe sinjalistika përkatëse.