Anulohet konkursi për 20 pozita të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve shkollore të Komunës së Prizrenit, shpallur në gusht të këtij viti, raporton Gazeta e Prizrenit.
Vendimi për anulimin e konkursit sapo është marrë, ndërsa si arsye zyrtare janë paraqitur paqartësitë në dispozitat e rregullores që përcakton kushtet dhe dokumentacionin për aplikantët.
Në fillim të tetorit, në kuadër të këtij procesi ishte publikuar lista e kandidatëve, sipas së cilës vetëm nëntë prej tyre ishin përzgjedhur për të vazhduar tutje, ndërsa 18 të tjerë ishin eliminuar. Shumica e eliminimeve, sipas të dhënave të konkursit, kishin të bënin me mungesën e vërtetimit për masën disiplinore.
Ndërkohë, sipas burimeve të Gazetës së Prizrenit, disa nga kandidatët e eliminuar kishin paraqitur ankesa lidhur me procesin e përzgjedhjes.
Në vendimin e nënshkruar nga Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, thuhet se anulohet procedura e rekrutimit për konkursin me numër RN00020270, të hapur nga 21 gushti deri më 19 shtator 2026, për 20 pozita të drejtorëve dhe zv/drejtorëve të institucioneve shkollore në kuadër të Drejtorisë së Arsimit në Prizren.
Po ashtu, Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (NJMBNJ) i kërkohet rishpallja e konkursit, raporton Gazeta e Prizrenit.
Në arsyetimin e vendimit përmenden paqartësitë në nenin 13 të Rregullores nr. 19/2024 dhe mospërputhjet ndërmjet kësaj dispozite dhe pikës D3 të udhëzuesit për zbatimin e rregullores lidhur me administrimin dhe dokumentimin e procedurave të përzgjedhjes dhe emërimit të personelit në institucionet arsimore.
Sipas dokumentit, edhe përfaqësuesi i MASHTI-t në komisionin përzgjedhës kishte ngritur dilema për zbatimin e dispozitave të rregullores.
Në mesin e shkollave të përfshira në konkurs ishin ajo “Lek Dukagjini”, Shkolla e Muzikës dhe çerdhja e re në Ortakoll. Konkursi për pozitat e zv/drejtorëve përfshinte edhe dy gjimnazet: “Gjon Buzuku” dhe “Remzi Ademaj”, si dhe drejtor për shkollat në Landovicë, Randobravë dhe Lubizhdë të Qytetit.
Konkursi përfshinte pozitën e zv/drejtorit në Arbanë, si dhe pozitat e drejtorëve në Gjonaj, Kushnin, Lugishtë dhe në disa fshatra të Hasit.
Me këtë vendim, procesi aktual i rekrutimit anulohet dhe konkursi pritet të rishpallet. / Gazeta e Prizrenit /
Lexo edhe: