U përfol për një huazim te Tirana, Emanuele Ndoj në formë: Si po rilind te Bresha

- Gazeta Telegraf

U përfol për një huazim te Tirana, Emanuele Ndoj në formë: Si po rilind te Bresha

Mesfushori shqiptar, Emanuele Ndoj, është rikthyer në formën më të mirë pas një periudhë ku dëmtimet e penalizuan jo pak. Ai është rikthyer tashmë te Bresha, në një kohë që ka qenë i huazuar te Kozenca. Këtë sezon e ka nisur mësë miri, duke shënuar një gol në Kupën e Italisë kundër Pizës, teksa në të njëjtin takim goditi edhe shtyllën.

Goditjet nga distanca janë kthyer në një armë të fortë për 25-vjeçarin, por ai tashmë është edhe mjaft mirë nga ana fizike, duke kapur një vend në formacion e Breshas. Në një prononcim për mediat italiane, mesfushori ka folur së fundmi për momentin e mirë që po kalon në prag të startit të Serisë B, që fillon më 14 gusht.

“Kam dëshirë për t’u rikthyer ai i pak viteve më parë. Dua që të përmbush pritshmëritë që të tjerët kanë mbi mua. Vij pas tri vitesh të vështira në aspekti fizik dhe mendor, por tani po përmirësohem dhe po gjej formën që kam pasur dikur. Në janar lashë një skuadër cilësore në vendin e dytë, ndërsa tani është një grup i rinovuar, me shumë dëshirë për të bërë mirë.

Presidenti është ai që më njeh më mirë se të gjithë këtu. Ishte ai që këmbënguli që unë të rikthehesha sërish në ekipin që e konsideroj si shtëpinë time. Këtu jam prej 7 vitesh dhe lidhja ime me Breshan është e veçantë”, ka thënë fillimisht Ndoji për rikthimin te Bresha, ndërsa u përfol edhe për një huazim te Tirana.

I ngacmuar për përshtatjen me trajnerin spanjoll, Jose Ruiz, mesfushori shtoi: “Ai kërkon një futboll fizik dhe intensiv. Më kërkon të bëj presing lart dhe të mbroj mirë. Është e vështirë, por që po mësohem me kalimin e kohës.

Po punojmë me shpejtësi dhe mezi presim të nisim sezonin në mënyrën më të mirë. Është një lloj futbolli me të cilin nuk isha mësuar”. Ndërkohë, gazetarët italianë e kanë pyetur Ndojin edhe për rikthimin e mundshëm në Kombëtaren shqiptare. “Për momentin jam i përqendruar vetëm në rigjetjen e formës time të mirë. Po punoj shumë për t’ia dalë dhe më pas shpresoj të marr sërish ftesë nga Shqipëria”.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf