Hyqmet Zane: Kriminaliteti në rritje si produkt qeverisje

- Gazeta Telegraf

Hyqmet Zane: Kriminaliteti në rritje si produkt qeverisje

Revolucioni i vonuar demokratik vazhdon të vrasë  më shumë sot

Akademikë a jeni gjallë për fatet e kombit si intelektualë ?

Kronika e zezë në Shqipëri është e mbushur me vrasje pa fund, dy–tre në ditë në çdo cep të vendit. Po aq kriminale janë edhe aksidentet si “krime” ndaj personit nga vetvetja apo nga të tjerë, që nuk pyesin as për polici trafiku e as për sinjalistike se kanë mbështetje nga policia. Dhe gama e kriminalitetit zgjerohet me sjelljet e qeverisë ndaj qytetarëve të vet, a thua se janë ufo shqiptarët, sepse mënyra se si procedohet nga qeverisja dhe administrata shtetërore, që sillet si private? Dalin të dhënat e shqiptarëve dhe hakerat bëjnë “krimin” e rradhës, por pa harruar se krimin e parë ndaj të dhënave e kemi bërë me patronazhistët dhe kryepatronazhiosti është kryeministri si me thënë në krye të krimit për degjenerimin e të dhënave të shqiptarëve.

E gjithë jeta shqiptare qenka mbushur me kaq shumë situata kriminale a thua se jemi në një luftë apo ai “revolucioni i vonuar demorkatik” model ideologjie komuniste sipas akademikut Qosja vazhdon si projekt që përsëritet sa herë vjen e majta në pushtet.

Nuk e di se çfarë emri i duhet vënë atyre ndërtimeve dhjetra katëshe që të vrasin syrin dhe i japin Tiranës pamjen e një sjellje kriminale me qytetarët, që nuk e pranojnë mënyrën se si është vepruar me kryeqytetin e shqiptarëve dhe jo të kryeministrit apo të kryebashkiakut. Del edhe Edi Rama dhe habitet  për ndërtimet pa leje dhe lë në hije faktin se e nis jetën e tij politike si ministër i kulturës me kthimin në identitet të Tiranës dhe fshiu çdo identitet. A është krim ky apo kryeministri është “verbuar” nga pushteti dhe marrëzia bën punën e vet?

Unë besoj se është krim hakerimi ndaj serverave të të dhënave të institucioneve shqiptare dhe që mendohet dhe propagandohet se i kanë bërë iranianët. Por a duhet të besoj se armiku i të dhënave të qytetarëve shqiptarë janë vetë kryeministri dhe ministrat e tij që u shfaqën “trima” që ishin patronazhistët fitimtarët e zgjedhjeve të 2021-it. Mua më duket se këtë “krim” kryeministri e ka bërë në bashkëpunim me një ambasadore që pa dalë përfundimet e zgjedhjeve, i “çerttifikoi” ato me fjalët mbështetëse për drejtësinë e zgjedhjeve më të padrejta shqiptare. Se kur erdhi në pushtet kjo qeverisje më 2013 puna e parë që bëri ishte “vjedhja” e serverit të tatimeve për të cilin ai që ka “çantën e zezë” nuk dha e nuk tha asnjëherë se në emër të kujt u bë dhe a ishte ky një krim ndaj qytetarëve e bizneseve të shqiptarëve?

Kur akademiku, që më duket trurrjedhur, ka thënë se 1997-ta ishte “revolucioni i vonuar demokratik” dhe më pas ky revolucion vazhdoi me rilindjen, që ripolli të keqen e këtij vendi me të zezat, që i kanë ardhur këtij populli. Sot vuajmë pasojat me ikjen e rinisë dhe familjeve shqiptare, me braktisjen e  shkollave nga fëmijët, me shtimin e kriminelëve me pagesë dhe moskapjen e kriminelëve, që vrasin dhe ikin duke djegur makinën si të thuash që vrasin e djegin se nuk i shqetëson askush se janë të sigurtë nga parzmorja shtetërore.

Dhe po ta vësh re edhe në Parlament drejtuesit e tij që për fat janë zonjë, dinë të vrasin fjalën e lirë dhe mendimin opozitar, se u duket vetja se janë në ndonjë mbledhje partie e jo në tempullin e pluralizmit shqiptar. Dhe atyre as që u lëviz as një nerv i fytyrës për të ndjerë se po gabojnë, por që kështu ua kërkon ai, kryeministri. Dhe ata ministrat flasin pa asnjë lloj pasioni për të keqen, domethënë flasin aq mërzitshëm sa ata që shohin televizor të tilla skena turpërohen nga paturpësia e zonjave.

Kemi një teatër kriminal që luhet në mes të Shqipërisë në sytë e europianëve dhe ambasadores amerikane dhe askujt nuk i vjen të shqetësohet se çfarë bëhet kështu. Shkojmë nga skandali në skandal dhe jo vetëm që nuk i skuqet faqja kryeministrit, por altopalanti i tij kërkon të bëjë ligje kundër Ilir Metës dhe Sali Berishës vetëm e vetëm pse nuk janë ashtu siç i duan këta, por që kanë vendosur t’u thonë të vërtetën shqipTarëve se po vidhen e po kriminalizohen, se po u vritet shpresa dhe e ardhmja.

Si njeri i letrave dhe me përgjegjshmëri intelektuale dhe atdhetare, shkruaj dhe shkruaj se dua të shpreh shqetësimin tim njerëzor. Por pyes se ku janë këta akademikët e famshëm, ata që mbajnë tituj e grada, ata që hiqen si të ndershëm dhe heshtin para pandershmërisë që përdor pushteti ndaj shqiptarëve. Në një vend demokratik europian apo edhe në Amerikë, fjala e akademikëve dhe personaliteteve që kanë tituj nderi, dëgjohet dhe vë në siklet ata që kanë përgjegjësi për kombin e vendit të tyre. Po ku janë këta farë sokoli që kanë rënë në tul të “shkencës” së tyre dhe nuk duan të dinë se çfarë bëhet rreth tyre, apo në këtë vendin tonë dhe të tyrin njëkohësisht.

Nuk besoj se titujt e akademikëve janë plagjiatura, por a janë ato në funksion të jetës shqiptare dhe të vendit? A janë gjallë ata që të bëhen të gjallë se çfarë bëhet me inseneratorët e hajdutërisë, çfarë bëhet me hajdutërinë e të dhënave të shqiptarëve, çfarë bëhet me jetesën e mizerjen e bashkëqytetarëve të tyre? Për çfarë shërben shkenca e tyre si shkencë për shkencë? A mos është kjo një lloj bashkëjetese me kriminalitetin e këtij vendi në emër të shtetit të kapur në gjithëçka? Se nëse dimë që në çdo shtet ka mafie, por duket sikur në Shqipëri mafia e rilindjes ka shtetin e vet dhe e përdor sipas parimeve mafioze.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf