Vrau kolegun, mbyllen hetimet për ish-efektivin Ludjan Zaimi

- Gazeta Telegraf

Vrau kolegun, mbyllen hetimet për ish-efektivin Ludjan Zaimi

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për ish-efektivin, Ludjan Zaimin, i akuzuar për vrasjen e kolegut të tij, Çaush Saliasi, brenda Komisariatit nr.3 në kryeqytet.

Sipas prokurorisë, Zaimi duhet të gjykohet për akuzën e “vrasjes së punonjësit të policisë”.

Ndërkohë pas përfundimit të hetimit, avokatët kanë 10 ditë kohë të paraqesin kundërshti, para se dosja të dërgohet në seancë paraprake.

HETIMI

Sipas të dhënave hetimore, Ludjan Zaimi, efektivi 25- vjeçar që nuk duroi dot talljet e kolegut të tij Çaush Saliasi dhe shkrepi armën 6 herë mbi trupin e tij duke i shkaktuar vdekjen, rrezikon burgim të përjetshëm.

Sipas informacioneve që dalin nga Prokuroria saktësohet se ndaj tij rëndon akuzat e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, neni 79/b dhe armëmbajtjes pa leje, pasi Policia bëri me dije se i janë gjetur 56 fishekë.

Po ashtu, Policia ka thënë se në shtëpi 25-vjeçarit i janë gjetur antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda mendore.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit brenda Komisariatit nr.3. në Tiranë, teksa po ndërroheshin turnet dhe në sallë ishin kolegët e tjerë.

Zaimi duket se e kishte të qartë shënjestrën e tij ndaj i bëri thirrje efektivëve të pranishëm që të mos ndërhynin dhe në fakt ashtu ndodhi, askush nuk ndërhyri.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf