Suplementi Pena Shqiptare/ Ylli Pango: “Një udhëtim i rrezikshëm”: In memoriam Prof. Bedri Dedja

- Gazeta Telegraf

Suplementi Pena Shqiptare/ Ylli Pango: “Një udhëtim i rrezikshëm”: In memoriam Prof. Bedri Dedja

Jemi diku në mesin e viteve 60. Dy fëmijë, miku im i ngushtë Maksim Konini, kaçurrels nga flokët e i drejtë sa më nuk bëhej nga karakteri, e unë, një anemik hollaq e i ndrojtur, kalonim vitet e para të fëminisē në atë Zogun e Zi, në hyrje të Tironës. Lexonim libra pa u ngopur e ëndërronim udhëtime rreth botës. Edhe ku: në vendin me idiotisht të izoluar të saj. Jetonim ditë magjepsje e imagjinate. Pas çdo leximi e komentonim me njeri tjetrin pa rreshtur… Ëndërronim të bëheshim edhe shkrimtarë pa le… E ja ku na bie në dorë ai libër: “Një udhëtim i rrezikshëm” i Bedri Dedes. Takojmë personazhet e paparë, por edhe aq të ngjashëm me personazhet e lagjes tonë, takojmë Kokëdruthin, Kokëtapën, Kokëfirifiun e Kokakomçin. Udhëtimin e tyre larg vendlindjes... Betejat e kampionatet me ndeshje me komça si ato tonat. Qytetin e qejfit të ëndërruar diku… Usta i Paudhi e paudhësitë e tij, na dilnin edhe në ëndërr. Komentonim pa fund fitoren e madhe të Kokëdruthit, që ja “qerri” (fitoi) gjithë komçat, Kokakomçit, aq sa ky futi në lojë dhe kopsat e fundit, ato të pantallonave derisa i ranë edhe ato e mbeti në brekë. E sidomos gjestin e tij tongerlliks-burrnor… Atë kur nuk pranoi as përgëzimet e ogiçëve, shokëve të tij të vegjël… “Bravo” i tha Kokëfirifiu, por një grusht i fitimtarit e hodhi për tokë. “Bravo jam vetë”, ia pat prerë Kokëdruthi. Sa e sa herë deri në adoleshencë e ritregonim këtë episod shveikian, me shokun e ngushtë Maksin e shkriheshim gazit. Sa e sa herë kur na dilte në lagje ndonjë plak i keq, e thërrisnim “Usta i paudhi”, apo të vegjlit e Zogut të zi, që kërkonin të bëheshin rrugaçë (Kokëdruthë të mëdhenj), i quanim Kokëfirifinj… Ç’ishte more ky shkrimtar që na njihte kaq mirë ne kalamajve?…Libri i Bedri Dedes, ka qenë besoj, për tërë kalamajtë e asaj kohe që dinin të lexonin, libri më i preferuar e më i jashtëzakonshëm i lexuesve-personazhe-fëmijë, që i gjeje aso kohe, në çdo lagje të Tironës e nuk di, ndofta dhe kudo në Shqipëri. Bedri Dedja, ishte për ne shkrimtari më i madh i kohrave e vepra e tij, një habi se si kish mundur t’i njihte e skaliste aq bukur heronjtë-kalamaj. Dikush na tha më vonë, se model patën qenë kalamajtë e pallatit ku banonte prof. Bedriu. Domethënë kalamajtë si të gjithë ne… Pastaj, do kohë më vonë, edhe në Zog të Zi, erdhi lajmi i çuditshëm: Shkrimtar Bedriun e librin e tij e patën sulmuar, kritikuar, sharë si libër që çedukonte. Po kush e kish shpallur këtë mandatë?! Ende nuk pat dalë aq hapur, si pak vite më vonë, ajo që e para i zbulonte e dërrmonte këto “gjëma”. Partia. Asokohe, së paku mua e Maksit na u tha, që shkrimtarë të tjerë të zgjuar, e kishin “kapur” këtë libër-hile të madhe të Bedri Dedes. Që nisja e tre kalamajve që nuk mësonin në shkollë, Kokëdruthit, Kokëtapës e Kokëfirifiut drejt Qytetit të qejfit, ish zbuluar që na ishte ai krimi i madh që dënonte partia, arratisja… Që Usta I Paudhi që i joshte kalamajte të linin shkollën e të shkonin të bënin vetëm qejf, na ishte imperializmi amerikan… E që për rrjedhojë autori i librit, e libri, na ishin dy krijesa revizioniste që duheshin dërrmuar, flakur…Pastaj në Zog të Zi mbërrin lajmi tjetër, se Bedri Dedja kish kërkuar ndihmën e kalamajve. “Le të tregonin ata a u pëlqente a s’u pëlqente libri”, pat thënë Bedriu. Maksi e unë u thirrëm urgjentisht nga njeri-tjetri, atë pasdite, në mbledhje, ke tuneli i pallatit. Për të marrë një vendim me rëndësi. Dhe si gjithmonë “Partia” jonë, partia e dy kalamajve, që në fshehtësi nga të rriturit e lagjes, e kishim ndarë mendjen të bëheshim shkrimtarë e kolegë të Bedri Dedes, arriti njëherazi një vendim unanim: Të niseshim menjëherë në ndihmë tē shkrimtarit Bedri Dedja. Ta ndihmonim, madje jo thjesht si fëmijë, por si shkrimtari- shkrimtarin. Dhe u nisëm Rrugës së Durrësit si kapedanë, Maks Konini 10-11 vjeç, e unë në moshë diku aty afër poshtë tij. Drejt e tek biblioteka e lagjes. Biblioteka ishte e mbushur me kalamaj Kokadruthas e Kokakomças të paepur. Tek-tuk shihje ndonjë Kokëfirifi si ne. Shumica ishin më të mëdhenj se ne. Një burrë i panjohur (më vonë kemi konkluduar se duhet të ketë qenë instruktor sekret partie për librat) drejtonte mbështjelljen. Kalamajve iu kërkua prej tij të “votonin”, d.m.th. të çonin duart ata që e pëlqenin librin e sidomos “ata që nuk e pëlqenin hiç fare”, siç tha ai. Dhe ndodhi që në një akt të paparë “disidence”, të gjitha duart e kalamajve, dyshe madje, u çuan përpjetë… në favor të librit. Nuk di, a ishte në këtë takim vërtet Bedri Dedja. Apo ndofta e vërteta e dëshira a fiksimi im, janë në një mendje, se ai aty ishte e gëzoi me gjithë shpirt triumfin e tij e të librit të tij. Por sidomos të kalamajve mbi kundërshtarët e mëdhenj të Bedriut. Mbi ata që unë e Maksi ishim të bindur që ishin ca shkrimtarë të ligj e ziliqarë, që shkruanin keq e nuk dinin të na i fitonin zemrën neve kalamajve. E ku ta dinim ne, se aty në atë mesele libri kalamajsh, na ishte nakatosur edhe Partia e Enveri… E ku të na vinte mendja që më vonë “votime” të tilla të rriturish, do çonin sa e sa syresh në burg. Më vonë mësuam se na kishte rrejtë mendja. Se nuk kishim fituar as ne, as Zogu i Zi e as prof. Bedriu… E ca më keq libri që u dënua (ndalua), me damkosje e burgim 30 vjeçar. Burg nga i cili doli bashkë me të burgosur të kulturës që e kishin dënuar dikur librin e vetë Bedriun si revizionist. Ku ta dinim ne se arbitri “Big Brother” i atyre kohrave, gjykonte nga sipër fushës dhe përdorte sistemin VAR ku ia riparaqisnin xham, deri edhe “zullumet” e kalamajve. Akoma më vonë kur kujtonim ato kohra, e atë “votim”, kemi qeshur me prof. Bedriun, që më vonë u bë edhe profesori im… E kemi thënë veç të tjerash, se ne kalamajtë e asaj biblioteke lagjeje, duhet të ishim shpallur së paku shkrepse të demokracisë, se sa për pishtarë ishim ende shumë të vegjël…



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf