Miletiq që u emërua këshilltar i Kurtit, thotë se u angazhua nga Qeveria gjermane

- Bota Sot

Miletiq që u emërua këshilltar i Kurtit, thotë se u angazhua nga Qeveria gjermane

Petar Miletiq, ish nënkryetar i Kuvendit të Kosovës thotë se është i angazhuar si konsulent i jashtëm i Kryeministrit Albin Kurti, por jo këshilltar për politikë të jashtme.

“Informata është gjysmë e vërtetë. Unë jam emëruar si një konsulent i jashtëm  i Albin Kutit, – jo konsulent për politikë të jashtme – që financohet nga Qeveria gjermane, më saktësisht, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, për çështje të komunitetit”, ka thënë Miletiq për Danas.

Ai thotë se do të ketë rol vetëm këshillues dhe jo vendimmarrës.

Media ka publikuar të enjten vendimin e emërimit të Miletiq, që mban nënshkrimin e Kryeministrit Kurti. Aty thuhet se ai emërohet Këshilltar i jashtëm Politik.

Media serbe në Kosovë, “Kossev” rikujton se në vitin 2012, kur Miletiq ishte nënkryetar Kuvendit nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, dënoi aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje në kufi me Serbinë.

Në një deklaratë të tij në vitin 2016, ai citohet të ketë thënë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk duhet të jetë në agjendë sepse “Serbët e Kosovës kanë mbrojtje nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga ligjet, edhe pa Asociacion”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot