E PLOTE/ ‘The New York Post': Berisha u sanksionua vetëm sepse George Soros sundon mbi Joe Biden

- Gazeta Telegraf

E PLOTE/ ‘The New York Post': Berisha u sanksionua vetëm sepse George Soros sundon mbi Joe Biden

Nga Matt Palumbo, THE NEW YORK POST

Në moshën 92-vjeçare, George Soros ka më tepër ndikim se kurrë në Zyrën Ovale.

Pavarësisht hedhjes së milionave më parë në zgjedhjet presidenciale amerikane, ato ishin, fatmirësisht, pará të djegura kot. Soros dhuroi dhjetëra miliona dollarë në fushatat e dështuara presidenciale të John Kerry e Hillary Clinton, e madje edhe kur arriti sukses me Barack Obamën më vonë, do të ankohej se nuk arriti të siguronte atë lloj influence që kishte synuar.

“Ai ma mbylli derën”, tha Soros për ‘The New York Times. “Më bëri një telefonatë që supozohej të zgjaste pesë minuta, për të më falënderuar për mbështetjen, unë e mbajta të zënë dhe iu desh të shpenzonte edhe tri minuta të tjera, pra arrita ta zgjas për tetë minuta”.

Por, siç e kam shkruar në librin tim “Njeriu pas perdes: Brenda rrjetit sekret të George Soros”, me Presidentin Biden, lakenjtë e Sorosit janë kudo, dhe infiltrimi i Sorosit në ekipin e Bidenit ka nisur që para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë.

Ekipi i tranzicionit të Bidenit u formua pas zgjedhjeve të 2020 dhe menjëherë nisi të mbushej me liberalë të lidhur me Sorosin e rrjetin e tij.

“Ekipet për Shqyrtimin e Agjencive” të krijuara nga Biden, që përfshinin lista individësh “përgjegjës për kuptimin e operacioneve” të çdo agjencie qeveritare ishin ngarkuar të përgatisnin Biden e Kamala Harris ta nisnin fort që në ditën e parë.

Soros përfaqësohej mirë nga të zgjedhurit e Bidenit, duke pasur mes tyre të paktën 17 individë që punonin në organizata të themeluara apo të financuara nga Soros. Aty përfshiheshin individë të zgjedhur  për të punuar në ekipet e tranzicionit në Departamentin e Shtetin, Zyrën për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve, Misionin e SHBA në OKB, Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Punës, Departamentin e Brendshëm, Departamentin e Thesarit, Rezervën Federale, Rregullatorët Bankarë e të Sigurimeve, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën e Përfaqësuesve të Tregtisë, dhe Departamentin për Çështjet e Veteranëve.

Një numër individësh nga sfera e influencës e Sorosit më pas hynë edhe në kabinetin e Presidentit Biden:

– Neera Tanden shërbeu si presidente e Qendrës për Progres Amerikan (CAP), financuar nga Soros, para se të bëhej këshilltare e presidentit në maj 2021. CAP tani drejtohet nga Patrick Gaspard, që më parë ka qenë kryetar i Fondacionit të Sorosit për Shoqëri të Hapur (OSF). Tanden më parë u nominua për të marrë drejtimin e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, por nuk e fitoi betejën e konfirmimit.

– Shefi i Personelit i Shtëpisë së Bardhë, Ron Klain, shërben në bordin e Aksionit të Qendrës për Progres Amerikan, krahu lobues i Qendrës së lartpërmendur. Klain shihet si njeriu që e ka tërhequr Bidenin nga e majta dhe deklaroi për Daily Beast se “progresistët janë një pjesë e madhe e partisë sonë, dhe bërja e mundur që zëri i tyre të dëgjohet këtu në Shtëpinë e Bardhë është një pjesë e rëndësishme e punës sime”.

–  Sam Berger ishte nënkryetar për demokracinë dhe reformën qeveritare në CAP dhe u emërua drejtor i politikës dhe operacioneve strategjike për Ekipin e Përgjigjes për Covid-19.

– Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka ndoshta lidhjet më të forta me Sorosin. Babai i tij, Donald Blinken, dhe gruaja, Vera, financuan ‘Vera and Donald Blinken Open Society Archives në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), që mban një koleksion dixhital të dokumenteve historike hungareze. Në një raport të Soros Foundations Network më 2020, Donald Blinken listohet i treti në Bordin e të Besuarve për CEU, pas Sorosit dhe Aryeh Neier, çka tregon se ka pozitë të lartë.

Blogu i përditshëm hungarez Spectrum, i cili ka Sorosin midis donatorëve, festoi Blinkenin si Sekretar i mundshëm i Shtetit pas fitores më 2020, sepse “Hungaria nuk do të lihet pas dore në katër e ndoshta tetë vitet e ardhshëm në Washington”. Pasi Blinken u konfirmua si Sekretar Shteti, gazeta hungareze Magyar Nemzet e quajti “lajm i madh për George Soros”.

Dhe ishte vërtet, teksa një nga aktet e parë të Blinkenit ishte sanksionimi i një kritikut të vjetër të Sorosit. Në maj 2021, Blinken njoftoi sanksionet kundër ish-presidentit e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, me pretendimin për “korrupsion serioz” dhe i ndaloi atij, gruas e fëmijëve të tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Soros e Berisha kishin shkëmbyer publikisht goditje më parë, me Berishën që e akuzon Sorosin për akte mafioze në Shqipëri. Përfaqësuesi Republikan Lee Zeldin vuri në dukje se sanksonet dolën nga hiçi dhe kur i kërkoi shpjegime Blinkenit, Sekretari i Shtetit mohoi të kishte ndonjë kontakt me Sorosin në lidhje me sanksionet por la të hapur mundësinë që dikush në Departamentin e Shtetit mund të kishte pasur.

Kur Zeldin kërkoi më tepër informacion nga Departamenti i Shtetit, ata praktikisht e injoruan.

Ndërsa Soros nuk është shfaqur në publik kohët e fundit, fëmijët e tij duket se kanë marrë në dorë perandorinë e tij dhe po punojnë pa orar.

Njëri nga djemtë, 37-vjeçari Alexander Soros, ka qenë ambasadori i tij de-facto në Shtëpinë e Bardhë dhe ka qenë të paktën në një duzinë rastesh atje që nga hyrja e Biden, ndërkohë që lidhet edhe me Demokratë të tjerë atje, sipas fotove që vetë Alex ka postuar në median sociale.

Ka gjithmonë një Soros apo një njeri të Sorosit që i pëshpërit çdo ditë në vesh Presidentit Biden.

Si i shpenzon Soros paratë

Organizatat kryesore që George Soros përdor për të çuar përpara axhendën e tij:

Fondacionet për Shoqëri të Hapur

Me një fond prej 20 miliardë dollarësh, OSF është mjeti përmes të cilit George Soros financon të gjithë perandorinë e tij. Duke vepruar si një lloj konglomerati filantropik, OSF shpenzon miliarda në grante që financojnë narrativat dhe politikat e krahut të majtë mbi ekonominë, arsimin, barazinë, kujdesin shëndetësor, gazetarinë dhe reformën në drejtësi. Shpesh, një grup individual krijohet për një kauzë të veçantë – si krijimi i një “Komiteti Veprimi Politik për Drejtësi dhe Siguri Publike” në një shtet për të financuar garat për prokurorin e qarkut – dhe financohet përmes këtij grupi ombrellë. Soros ka derdhur 32 miliardë dollarë nga pasuria e tij në OSF. Donacionet aktuale të OSF rivalizojnë shpenzimet totale që nga fillimi, çka tregon se është e pozicionuar mirë për të mbijetuar edhe pas Sorosit.

Qendra për Progres Amerikan

Një institut me ndikim mbi politikat publike, i themeluar nga John Podesta në 2003 për të rivalizuar fondacionin më konservator Heritage, dhe ka lidhje të forta me Partinë Demokratike. Soros ka financuar CAP me të paktën 3 milionë dollarë gjatë viteve, dhe Patrick Gaspard, më parë president i OSF më 2017-2020, u bë president i CAP në qershor 2021. Politico e përshkroi CAP si “think-tanku me ndikimin më të madh në epokën Biden”.

Universiteti i Evropës Qendrore

Universiteti i nis në Hungari nga George Soros më 1991, për të nxitur një axhendë liberale në ish-Bllokun Sovjetik pas rënies së Murit të Berlinit. Anëtarët e Bordit të të Besuarve përfshijnë djalin e tij, Robert Soros, si dhe shumë individë në pozita drejtuese në OSF. Ndër të diplomuarit e shkollës përfshihet ish-presidenti i Gjeorgjisë Giorgi Margvelashvili, ish-ministrin gjeorgjian i mbrojtjes, ish-ministri kroat i drejtësisë dhe anëtarë të shumtë të Parlamentit Evropian. Soros ka dhuruar mbi 400 milionë dollarë për arsimin e lartë gjatë viteve, dhe 75% e tyre shkon vetëm në dy shkolla: Bard College në New York dhe Universiteti i Evropës Qendrore.



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf