Vepror Hasani – Vijojnë bëmat dhe gjëmat e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai: Nënshkruani dorëheqjen në letër të bardhë, të tjerat i vendos unë!

- Gazeta Telegraf

Vepror Hasani – Vijojnë bëmat dhe gjëmat e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai: Nënshkruani dorëheqjen në letër të bardhë, të tjerat i vendos unë!

Kolonjarëve çdo ditë u vështirësohet jetesa

Nga Vepror Hasani

Filozofia e kryebashkiakut Kolonjë, Erion Isai, gjithnjë e më teper po shfaqet e plotë te banorët e Kolonjës. Thënia e tij e shqiptuar me shumë krenari vijon të mbetet e njëjta: “Unë kam vënë në resht artistë të mëdhenj, kurse për ju (punonjësit e bashkisë) nuk e kam problem fare”.  Madje gjatë dy javëve të fundit, konkretisht që nga 12 prilli 2024 e në vijim, filozofia e tij është ashpërsuar edhe më shumë. Më konkretisht, që prej dy javësh ka nisur të thërrasë në zyrë, një nga një punonjësit e Bashkisë. Ja çfarë u komunikohet personave të thirrur në zyrën e tij: Firmosni në letër të bardhë emër, mbiemër dhe firmë dhe di unë çfarë shkruaj në të. Një gjë e tillë nuk ishte parë dhe dëgjuar as në kohën e diktaturës. Kjo që po ndodh në Kolonjë I ka dëshpëruar së tepërmi kolonjarët, madje ka nga ata që thonë: “Kemi filluar të flasim me vete, sepse jeta jonë gjithnjë e më shumë po vështirësohet”. Sjellja e kryebashkiakut Erion Isai, nuk është ajo e një njeriu që synon më të mirën për qytetarët e vet, përkundrazi, gjithçka po shkon sëprapi dhe gjithnjë e më shumë po përkeqësohet.


Paaftësi në qeverisje
(Kolonjarët të zhgënjyer)

Gjatë qeverisjes së kryebashkiakut Erion Isai, që nga dita e parë e ardhjes së tij e deri sot, më së shumti ka prezantuar dhe vijon ta prezantojë në mënyrën më të përkryer paaftësinë, arogancën dhe mendjemadhësinë e vet. “Kjo mënyrë sjelljeje e turpëron Kolonjën”, – shprehen kolonjarët sa herë flitet për mënyrën e qeverisjes në këtë bashki. Madje më shkoqur qeverisjen e Erion Isait  e shpjegojnë rehovarët (banorët e fshatit Rehovë të Kolonjës), të cilët kur flasin për qeverisjen e kryebashkiakut e quajnë “qeverisje të Çuçkës”, me këtë epitet është pagëzuar apo vetëpagëzuaar z. Erion Isai.  Po qëndrojmë edhe një çast me rehovën dhe rehovarët, sepse siç dihet rehova është shpallur ndër 100 fshatrat e traditës; kjo fal vlerave nga ana e ndërtimit dhe arkitekturës së ndërtimeve. Dhe kjo ishte arsyeja që Ambasada Zviceriane dhe Austriake investoi për ngritjen e një porte e cila u pagëzua me emrin “Porta e Rehovës”, por edhe sot e kësaj dite nuk dihet sa ishte fondi i investimit, gjë që Bashkia duhej ta kishte deklaruar që në krye të herës. Gjithashtu flitet për abuzime edhe për krijimin e një lulishteje në hyrje të Rehovës. Po kështu u investua edhe për rrjetin e ujit të pijsshëm, për kalldrëmet dhe për një shkallë që prishi arkitekturën e qendrës së fshatit etj, ndërsa punimet janë kryer pa cilësi, madje për më shumë, nuk dihet ende sa ka qenë fondi i investimit, pasi I përfolur mbetet edhe investimi për rrjetin ujor dhe elektrik.

Banorët e Rehovës abuzimet janë të shumta
(Nuk dihet kush i merr paratë e kullotës)

Jo vetëm banorët e fshatit Rehovë, por edhe intelektualët e këtij fshati si Bardhyl Prifti është  kërkuar që të pastrohen portat nga gëlqerja me qëllim dalja në dritë e gdhendjeve shumë të bukura në gur, por deri më sot Bashkia e Kolonjës ka qëndruar e heshtur, madje as nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Dhe jo vetëm kaq: nuk dihet kush i merr paratë e kullotës së Gramozit, të cilën fshati dikur e shiste me qindra napolona flori (500-600 napolona) në vit, me të cilat u urbanizua fshati qysh në vitet 1930. Çuçka (kështu e thërrasin kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai), nuk ka bërë asnjë transparencë për të gjitha shpenzimet. Vetë ai (Erion Isai), ka blerë edhe një shtëpi në fshat, shtëpinë e një bariu joautokton të fshatit në zonën e mbrojtur. Është shitur shkolla e vjetër e ndërtuar në vitin 1938, objekt publik dhe nuk dihet sa është shitur dhe pse. Nuk dihet sa para janë shpenzuar për rrugën Rehovë – Shën Pjetër për ta shtruar me çakëll. Dhe për të mbuluar gjithçka, siç e kanë zakon llustraxhinjtë, – thonë rehovarët, rishtroi dhe bëri me trotuar rrugën Rehovë – Ersekë. Thuhet që për çdo investim është konsultuar me kryeplakun e fshatit, por pa komunikuar asnjëherë me banorët e fshatit, mesa kuptohet ndodh kështu sepse tashmë në këto zona mungojnë të rinjtë dhe intelektualët, shumë prej tyre kanë emigruar. Kemi shumë për të shkruar e për të thënë, shprehen banorët e Kolonjës por ende nuk ia kemi dalë për të mësuar të vërtetat e kësaj qeverisje jotranssparente.

Hoqën edhe lapidarian e dëshmorëve
(Mungon transparenca)

Sipas banorëve të Rehovës, gjatë kësaj qeverisjeje bashkiake u hoq edhe  lapidari i tre dëshmorëve dhe u mbollën fidanë bredhi, por e vërteta është se fidanët u thanë pa mbushur as dy vjet; për këtë arsye i prenë  Dhe për të gjitha këto, nga ana e Çuçkës nuk është bërë asnjë transparencë, ndërsa vetë ai Erion Isai, bleu shtëpinë e një bariu joautokton në Rehovë; ndërkohë shiti shkollën e vjetër të këtij fshati të ndërtuar që nga vitit 1938 dhe nuk dihen arsyet pse e shiti dhe sa e shiti?!  Dhe si gjithnjë, siç e kanë zakon lustraxhinjtë për të mbuluar gjithçka shtroi me trotuar rrugën Ersekë – Rehovë dhe mbolli 175 fidanë bredhi të cilat me urdhër të tij u shkulën në zonën pyjore të Shelegurit, por të gjithë fidanët u thanë për shkak të mungesës së kujdesit.  Fidanët duhej të ishin blerë në firma të licensuara të cilat japin garanci të plotë për mbjelljen e tyre.  Në preventivin që ka firma e mbjelljes nuk përmban në asnjë rast që fidanët të shkulen në pyje dhe të mbillen në një vend tjetër, kjo është bërë thejsht për abuzim dhe përfitim fondesh. (Për fidanët disponojmë materiale filmike ku janë shkulur).

Mburrja e kryebashkiakut Erion Isai
(Dëmi ekonomik 35-40 milionë lekë në vit)

Këtu mund të përmendim edhe një investim me të cilin kryebashkiaku mburret me “lumin” që krijoi në ish-rrugën e Rehovës nga lokal Almedi deri tek kalçeto me një gjatësi 270-300 metra linear ku u investua një vlerë prej 420 milionë me TVSH (të vjetra). Veç kësaj, uji që rrjedh aty është i pijshëm prej të cilit Bashkisë së Kolonjës i krijohet një dëm ekonomik prej 35-40 milionë (të vjetra). Gjithashtu në këtë projekt të implementuar kanë mbetur shumë zëra të parealizuara, si: muret e ndërtesave nga të dy krahët të cilat do të bëheshin me fugaturë; gjithashtu hyrja në këtë rrugë nuk do të bllokohej me gurë të mëdhenjë pasi do të bëheshin me tubo metalike dhe do të komandoheshin me pult. Por me këtë fond ai mund të rregullonte shumë mirë lagjen nr. 1 , lagjen nr. 6 apo dhe lagje të tjera të cilat janë në ditë të hallit, pasi jetojnë në kushte mjaft të vështira: pa infrastrukturë, me rrugë të ngushta që nuk mund të hysh dot as në raste emergjencash si zjarre, sëmundje etj. Këtu do të kujtojmë dy thënie të burrave të mençuar kolonjarë të cilët ndërsa ishin duke dëgjuar fjalën e kryetarit Isai i thanë: Me këto që po dëgjojmë I tha njeri prej tyre, besojmë se Kolonjën do të na i bësh tra-la-la. Kurse kur Erion Isai po mburrej për rrugën e Rehovës që ka “lumin” në mes, rreth 270 metra, pyeti një të moshuar: “A të pëlqen ky investim?”. Dhe ai, (i moshuari i dytë), iu përgjigj: “Po mirë-mo kryetar ne aktualisht jemi te A-ja kurse ti na paske vajtur te Zh-ja, kur  Kolonja ka probleme më imediate për të zgjidhur.
Baraka për sistemimin e druve të zjarrit
(Projektohen ide, por lihen në mes)

Aktualisht, që prej javës së fundit, qytetarëve të Ersekës, kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, nisi t’u dërgojë njoftime për heqjen e barakave edhe pse ato janë ndërtuar me blloqe dhe me dijeni të Bashkisë nga ish-kryetarët para ardhjes së kryebashkiakut të tanishëm, dhe me dijeni të ish-Këshillit Bashkiak të Kolonjës. Kjo ishte vërtetë një nismë e mirë për pastrimin e qytetit nga barakat prej druri dhe të amortizuara e ideuar nga paraardhësit  e kryebashkiakut të sotëm, pasi Kolonja është 1000 metra mbi nivelin e detit me dimër të gjatë dhe të ftohtë që zgjat 6-7 muaj deri në fund të prillit. Ngritja e barakave dhe sistemi i druve të zjarrit në to nga çdo familje do të bëhej kundrejt një detyrimi ligjor për pagesën në formën e taksës sipas sipërfaqes që disponon çdo familje dhe të mos detyrohen të vendosin drutë e zjarrit poshtë shkallëve dhe korridoreve, por kjo gjë duket se nuk do të realizohet, pasi kryebashkiaku i tanishëm nuk e dëshiron një gjë të tillë. Madje nuk është pranuar as ideja që për drutë e zjarrit të shfytëzohen disa depo ushtrish të amortizuara, të cilat mund të shërbejnë si baraka të vogla për sistemimin e druve dhe veglave bujqësore sepse disa lagje të Ersekës, kanë marrë tokë me ligjin 7,501 të cilat administrohen prej tyre, por projekti i shumëdëshiruar nga kolonjarët vijon të mos gjejë mbështjen e kryebashkiakut Erion Isai për këtë problem. Banorët e Kolonjës ende janë në pritje
Por ende asgjë nuk është e qartë, për këtë arsye të gjitha këto, kolonjarët kanë nisur t’i pagëzojnë si bëmat dhe gjemat e kryebashkiakut Erion Isai, të cilat do t’i bëjmë të njohura në vijim



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf