A dëmtohen raportet ndërfqinjësore në keqpërdorimin e çështjes së ekstradimit të Blerim Ramadani? – Flasin ekspertët

- Bota Sot

A dëmtohen raportet ndërfqinjësore në keqpërdorimin e çështjes së ekstradimit të Blerim Ramadani? – Flasin ekspertët

Ndërhyrja politike në procedurat gjyqësore për ekstradim, dëmton imazhin dhe raportet ndërfqinjësore mes shteteve.

Ky është vlerësimi i profesorit universitar, Bashkim Selmani, në lidhje me çështjen e Blerim Ramadanit, i cili u arrestua në Maqedoni për shkak të një fletëarresti ndërkombëtar, ndërkaq më pas u arratis nga paraburgimi shtëpiak.

“Këto pjesë që shfrytëzohen politikisht shkon në dëm edhe të viktimës, por edhe interesit ndërshtetëror dhe ndërnacional. Poashtu do të ishte mirë që edhe vetë Republika e Kosovës të gjejë zgjidhje, pasi që nëse nuk do ta procedojë në nivel ndërkombëtar, në raportet me vendet fqinjësore, gjithmonë do të ketë raste të këtilla që do t’i keqpërdorin partitë politike dhe në forma të ndryshme që sjellë konteste dhe probleme të cilat janë të panevojshme. Pastaj ekstradimet janë procese gjyqësore që duhet të respektohen dhe nga ana tjetër, çdo ndërhyrje politike vetëm krijon zemërim te qytetarët dhe raportet ndërfqinjësore”, tha Bashkim Selmani, profesor universitar.

Aktivisti Besim Hoda, thekson se Maqedonia e Veriut nuk duhet t’i përmbushë apetitet serbe në llogari të shqiptarëve, ndërkaq me rastin e Blerim Ramadanit vetëm se vazhdon pafuqia politike e shqiptarëve në vend.

“Shteti i Maqedonisë, duhet njëherë e përgjithmonë të kuptojë se nuk mund të jetë vegël ose dorë e zgjatur e Serbisë. Të kënaq apetitet e një shteti fqinj, kundër një shteti fqinj. Veçanërisht kur janë në pyetje Kosova dhe Shqipëria, të cilët gjithmonë kanë qenë krah Maqedonisë dhe kur ka pasur nevojë kanë sakrifikuar edhe veten, por edhe shqiptarët e Maqedonisë duke treguar fqinjësinë e mirë. Saherë që nënçmohen në forma të tilla shqiptarët e Kosovës apo Shqipërisë, pasojat dhe paaftësinë politike e dëshmojnë shqiptarët e Maqedonisë. Të cilët vazhdojnë të jenë, fatkeqësisht vetëm si dekor në qeveri. Edhe atëherë, por edhe tani. Dhe jo të denjë për të mbrojtur interesat e shqiptarëve në Maqedoni, por gjithsesi edhe interesat e shqiptarëve kudo që janë”, Besim Hoda, aktivist.

Ndryshe, ish-ushtari i UÇK-së Blerim Ramadani është arrestuar më 17 korrik në pikën kufitare në Jazhincë, me një fletëarrest të lëshuar nga Serbia. Ai për dy javë ka qëndruar në paraburgim në Shutkë ndërsa më pas, gjykatësi Pajazit Pajaziti i ka zëvendësuar masa e paraburgimit efektiv me atë shtëpiak. Për këtë, Prokuroria ka dorëzuar ankesë. Ndaj ankesës së Prokurorisë, ka vepruar Këshilli Penal prej tre gjyqtarëve, të cilët më 14 gusht e kanë rrëzuar vendimin e Pajazitit dhe e kanë rikthyer vendimin për dërgimin e Ramadanit sërish në Shutkë. Megjithatë, në po të njëjtën datë, Ramadani është arratisur.

Për këtë Këshilli Gjyqësor po shqyrton përgjegjësinë e Pajazitit, ndonëse Gjykata Penale dje u deklarua se përgjegjësia duhet kërkuar te policia, të cilët kanë qenë përgjegjës për të ruajtur Ramadanin në paraburgimin shtëpiak.

Pushteti dhe opozita, tanimë disa ditë po akuzojnë njëra tjetrën përgjegjësinë. VMRO-DPMNE, disa ditë me radhë kërkon që të shkarkohet gjyqtari Pajaziti, ndërkaq LSDM kërkon të shkarkohet ministri i brendshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot