Pas kthimit nga Uashingtoni, Gjuriq nis propagandën ndaj Kosovës - ja çka thotë tani

- Bota Sot

Pas kthimit nga Uashingtoni, Gjuriq nis propagandën ndaj Kosovës - ja çka thotë tani

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, i cili pasi u kthye nga Uashingtoni, si duket e ka marrë mbi vete udhëheqjen e propagandimit kundër Kosovës, ka pretenduar se “Kosova, me përpjekjen për të hapur urën mbi lumin Ibër, po përpiqet të largojë “një mburojë të sigurisë dhe të mbrojtjes së serbëve”, ndërkohë që “ka harruar” se ditë më parë ai vet ka deklaruar se janë edhe urat tjera që lidhin Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, ku bëhet qarkullimi normal i njerëzve dhe veturave.

Gjuriq edhe njëherë ka treguar në televizionin në shërbim të regjimit aktual serb, “TV Pink”, aktivitetet propaganduese që po ndërmerr kundër Kosovës, duke pretenduar se çdo ambasadë dhe konsullatë serbe do të jetë edhe “zyrë për Kosovën” në luftën “për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe njerëzore të serbëve”.

“Me hapa të tillë siç është paralajmërimi se, duke anashkaluar dialogun në Bruksel dhe kundër vullnetit të fuqive të mëdha që mbështetën “të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës dhe Metohisë”, dhe ajo që është shumë më keq kundër interesave jetike të komunitetit serb, po punohet për të marrë kontrollin e Mitrovicës së Veriut. Kjo nuk është hapja e çfarëdo ure, të jemi të qartë, në Mitrovicën e Veriut janë edhe katër ura që lidhin pjesën veriore dhe jugore të qytetit. Kjo ka të bëjë me heqjen e një mburoje reale të sigurisë dhe mbrojtjes së serbëve!!!”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka shtuar se Serbia pret që KFOR-i dhe vendet e QUINT-it të ngrihen për “mbrojtjen e popullit serb”.

Ky diplomat serb, përveç që është objekt i talljes në gjithë Serbinë për servilizimin e tij të njohur ndaj liderit suprem serb, Aleksandar Vuçiq, tani ka filluar ta lavdërojë edhe veten.

“Ashtu si ushtarët dhe policët përgatiten gjithë jetën për kryerjen e detyrës, diplomatët serbë janë çdo ditë në detyrë, pavarësisht të gjitha kërcënimeve, ne do të vazhdojmë punën tonë”, ka thënë Marko Gjuriq.

Duke folur për kërcënimet që u janë dërguar ambasadave serbe, Gjuriq ka thënë se nuk ka kërcënime të reja, duke shtuar se Serbia i merr shumë seriozisht ato mesazhe.

“Ne i marrim këto kërcënime shumë seriozisht, ka një sfond politik shumë kompleks pas tyre, është fakti që disa vjet më parë postet më të larta në “krahinën tonë jugore” propaganduan dhe afirmuan retorikë, narrativë dhe sjellje që kanë natyrë ekstreme dhe nuk është për t’u habitur që disa qarqe irredentiste vendosën të ndërmarrin hapa kaq ekstremë në shpërndarjen e tyre”, ka pretenduar Gjuriq.

Ata që sulmojnë, ka shtuar ai, duan të ndryshojnë kursin e politikës së jashtme të Serbisë dhe të largojnë ata që veprojnë në emër të Serbisë nga përfaqësimi i interesave serbe, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kosovën.

Mirëpo, Gjuriq thotë, se diplomacia serbe jo vetëm që nuk do të dorëzohet dhe nuk do të ndalet, por do të intensifikojë aktivitetin e saj, veçanërisht në qendrat që ishin cak i sulmeve dhe kërcënimeve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot