Në një letër dërguar mediave, Jasharaj ka thënë se Sveçla mund t’i vizitojë shkollat në shtator, por jo për të mbjellë frikë pasi “do të kthehesh i turpëruar e me kokën ulur”.
“Ky Sveçla, i trimëruar nga do poza në Ujman e te Ura, pasi ishte i mbrojtur nga djelmoshat e shkëlqyer e atdhetar si pjesëtarë të policisë sonë , nuk është e habitshme nëse më 2 shtator e merr me veti Nagavcin e dalin nëpër shkolla e duke u takuar me mësimdhënës do të trimërohen nga pritja e tyre dhe do të mundohen t’i frikësojnë e të kërkojnë nga ata se kush është ai që po guxon të kritikojë Qeverinë Kurti, kush është ai që guxon të kërkojë realizimin e të drejtave e kërkesave legjitime dhe se kush është ai që po guxon të kritikojë MASHTI-n dhe Qeverinë për mosngritjen e pagave , për ndryshimet në dëm të punëtorëve të arsimit në Ligjin për skemat pensionale dhe për mohimet që u bëhen në të drejtat e fituara. Sveçla e Nagavci mund të vizitojnë shkollat, sikur bëri ky Sveçla me një ministre tjetër të minatorët, por le të mendojnë mirë para kësaj sepse na kishin ‘vizituar’ në vitet 90-ta alamet hyqymeti duke treguar armë, pendreka e muskuj, por nuk na kishin frikësuar. Ne vazhduam ta mbrojmë arsimin shqip në përballje me gjithë ato kërcënime e dhunë. Ministër Sveçla, ashtu si i vizitove minatorët me fjalim të zëshëm e me tendencë për të mbjellur frikë, mos u nis nëpër shkolla se do të kthehesh i turpëruar e me kokën ulur”, ka thënë Jasharaj të hënën.
Kreu i SBASHK-ut e ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme se takimin me minatorët në javën e kaluar e ka zhvilluar me qëllim që t’i frikësojë për të mos kërkuar paga.
Takimin e Sveçlës me minatorët e kanë kritikuar partitë opozitare, duke e cilësuar arrogancë të pushtetit.