Dorëhiqet nga VV asamblisti më i votuar në Rahovec: Kurti ka linçuar besimtarët myslimanë

- Gazeta e Prizrenit

Dorëhiqet nga VV asamblisti më i votuar në Rahovec: Kurti ka linçuar besimtarët myslimanë

Asamblisti më i votuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Rahovecit, Ilir Pallqa, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.

Përmes një reagimi të gjatë, ai ka paraqitur arsyet e dorëheqjes, ku kryesorja është heshtja e qendrës në Rahovec pas shkarkimit të Visar Korenicës nga pozita e koordinatorit, shkaku i Kodit Civil.

Ai ka lëshuar edhe akuza të rënda në drejtim të kryeministrit Albin Kurti.

“Albini dhe të gjithë në VV e dinin bindjen e Visarit kur ai garoi për deputet; e dinin se një besimtar nuk mund të votojë asnjëherë një kod i cili njeh martesat e atij lloji. Nëse e ke pranuar duke e njohur, pse është shkarkuar?

Flirtimi i kryeministrit me besimtarët musliman ka qenë i vazhdueshëm, nga fjalët se “në Kosovë nuk ka aq ekstremizëm sa ka islamofobi”, dhe se “nuk ka rëndësi çfarë ke mbi kokë, por ajo çfarë ke brenda kokës,” duke iu referuar shamive, por përsëri udhëzimi për mosbajtjen e shamive në shkolla mbetet në fuqi.” – ka shkruar ai ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Në vitin 2017 u anëtarësova në Lëvizjen Vetëvendosje. Qëllimi i aktivizimit tim politik ka qenë të jap kontribut më të drejtpërdrejtë për shoqërinë e Rahovecit, por edhe më gjerë. Jam përpjekur të kontriboj; një pjesë e aktivitetit tim është publik, ndërsa pjesën tjetër e njohin ata me të cilët kemi rrugëtuar bashkë.

Në vitin 2021 fitova besimin e banorëve që t’i përfaqësoj në Kuvend. Jam përpjekur të jem aktiv dhe t’i përfaqësoj ata në mënyrën më të mirë, aq sa di dhe ashtu si di.

Kryesia e LVV-së, me në krye Albin Kurtin, më shumë se dy vite më parë, shkarkoi Visar Korenicën, koordinatorin e qendrës në Rahovec, vetëm sepse ai votoi kundër Kodit Civil; kundër kodit i cili, sipas tij, sipas votuesve të tij, dhe sipas meje si shok i tij, ndikon negativisht në shoqëri.

Megjithatë, kemi duruar me shpresën që do të ketë reflektim nga qendra për këtë vendim. Reflektim nuk ka pasur tash e sa kohë.


Ka shumë deputetë të tjerë që kanë votuar kundër propozimeve të ndryshme nga qeveria, por nuk janë shkarkuar. Është shkarkuar vetëm ai që ka votuar kundër Kodit Civil, i cili nuk ishte në programin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Albini dhe të gjithë në VV e dinin bindjen e Visarit kur ai garoi për deputet; e dinin se një besimtar nuk mund të votojë asnjëherë një kod i cili njeh martesat e atij lloji. Nëse e ke pranuar duke e njohur, pse është shkarkuar?

Flirtimi i kryeministrit me besimtarët musliman ka qenë i vazhdueshëm, nga fjalët se “në Kosovë nuk ka aq ekstremizëm sa ka islamofobi”, dhe se “nuk ka rëndësi çfarë ke mbi kokë, por ajo çfarë ke brenda kokës,” duke iu referuar shamive, por përsëri udhëzimi për mosbajtjen e shamive në shkolla mbetet në fuqi.

Këto lëvizje, duke linquar besimtarët dhe duke mos qëndruar prapa fjalëve të thëna dikur, i kanë dhënë një mesazh një pjese të elektoratit dhe të shoqërisë, mesazh të cilin grupi i Deçanit e ka marrë përzemërsisht. Ky grup ka përkrahjen publike edhe nga disa “përfaqësues” të VV-së në media, dhe jo vetëm, të cilët flasin fjalë që lëndojnë të gjithë ata që mbajnë besimin e tyre me krenari, duke nënkuptuar se ata që nuk konvertohen nuk qenkan patriotë. Nga udhëheqësia heshtje, heshtje sepse nxitje.

Gjithsesi, që nga fillimi janë akumuluar shumë probleme; ndoshta kam përmendur vetëm disa, ose shumë pak prej tyre.

Sot vendosa të marr një vendim, i cili, duke marrë parasysh fuqinë aktuale të LVV-së, ndikon negativisht tek unë si Ilir. Por Ilirët shkojnë e vijnë, ndërsa shoqëria mbetet, dhe ne, si pjesë e kësaj shoqërie, e kemi për detyrë të dalim përtej vetes kur besojmë se është në të mirën e gjerë.

Unë e deklaroj publikisht se jap dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Me shpresën që do të ketë reflektim, përulësi dhe veprim në të mirë të shoqërisë, të paktën në të ardhmen.

Unë vazhdoj aktivitetin tim politik për vendin tim dhe këtë shoqëri, derisa kam fuqi të lëviz dhe zë për të folur, pa marrë parasysh nëse kam pozitë politike apo jo. Aktiviteti im nuk do të jetë asnjëherë në partitë që kanë kontribuar në shkatërrimin e shpresës së rinisë.

Faleminderit të gjithëve që më keni mbështetur deri sot!



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit