Sinani: Serbia ka krijuar listë të zezë të atyre që nuk i binden pushtetit, sa herë kaloj në kufi më ndalojnë

- Bota Sot

Sinani: Serbia ka krijuar listë të zezë të atyre që nuk i binden pushtetit, sa herë kaloj në kufi më ndalojnë

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka denoncuar organet e sigurisë të Serbisë dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksander Vulin, se kanë krijuar një “listë të zezë” me emrat e atyre që i konsiderojnë si të padëshiruar nga qeveria serbe.

Sinani në një reagim të saj ka përmendur faktin se çdo herë që kalon kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë ndalohet pa asnjë arsye të justifikueshme, në disa raste deri në një orë.

Sipas kryetares së Preshevës, kjo nuk është rastësi por një përndjekje e orkestruar për të frikësuar zërat kritikë dhe ata që luftojnë për të drejtat e shqiptarëve.

Reagimi i plotë:

 Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vulin.

Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi.

Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka pranuar hapur krijimin e një “liste të zezë – blacklist” të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë.

Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit.

Kjo listë është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve.

Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot