Kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, Arijeta Skeraj, përfaqësues të Shoqatës së Afaristëve “Sharri” dhe pjesëtarë të Kabinetit kanë pritur sot drejtoreshën e Aktivitetit të USAID-it Qeverisja e Pronës, Jennifer Ober, percjell Gazeta e Prizrenit.
Ky takim i parapriu takimit të parë konsultativ që Komuna e Dragashit zhvilloi me përfaqësuesit e bizneseve lokale, ku u diskutua lidhur me themelimin e Këshillit Publiko – Privat në Komunën tonë. Ky projekt është në kuadër të Marrëveshjes së bashkëpunimit mes Komunës së Dragashit dhe USAID-it për zbatimin e Aktivitetit Qeverisja e Pronës.
Këshilli Publiko-Privat do të jetë një mekanizëm i cili do të shërbejë si një kanal i komunikimit të sektorit privat me sektorin publik, me theks të veçantë në fushën e të drejtave pronësore.
Në këtë takim, përfaqësuesit e bizneseve lokale patën rastin që të shprehin shqetësimet dhe kërkesat e tyre lidhur me mundësitë dhe sfidat e të bërit biznes në Komunën e Dragashit.
Kryetari Xheladini i falënderoi të gjithë akterët për këtë takim konsultativ, për të cilin tha se do të shërbejë si një mundësi e mirë për krijimin e një raporti më të qëndrueshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat në Komunën e Dragashit.