Mungesa e barnave esenciale/ MSH-ja tregon ku qëndron problemi

- Gazeta e Prizrenit

Mungesa e barnave esenciale/ MSH-ja tregon ku qëndron problemi

Disa komuna në Kosovë po përballen me mungesë të barnave esenciale, shkruan IndeksOnline.

Përveç barnave, disa komuna po ballafaqohen edhe me mungesë të materialeve shpenzuese, duke u ankuar se të njëjtat, pacientëve po u duhet t’i blejnë vet.

Nga Asociacioni i Komunave kanë deklaruar për IndeksOnline se kanë pranuar ankesat për problemet e lartpërmendura.

“Nga Ministria e Shëndetësisë kërkojmë që këtë brengë të komunave ta trajtojë me seriozitet të shtuar sepse mungesa e barnave esencial, për të cilën është përgjegjës MSH-ja, po shkakton probleme nëpër komuna. Qytetarët e Republikës së Kosovës po detyrohen që vetë t’i blejnë barnat dhe materialin shpenzues” deklaruan nga AKK-ja.

Aktualisht, më së paku furnizim me barna esenciale ka Lipjani, më përqindje prej 21.23.

Kjo komunë është po ashtu më së paku e furnizuar me materiall shpenzues, 44.06%.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Nga ky dikaster thonë për IndeksOnline se problemi në furnizim është shfaqur për shkak të neglizhencës nga zyrtarët përgjegjës të tyre.

“Sa i përket furnizimit me barna dhe materiale shpenzuese për Kujdesin Parësor Shëndetësor, ku MSH-ja e ka prioritet të lartë këtë fushë, furnizimit është i rregullt dhe bazohet në kërkesat e institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor/Qendrave të Mjekësisë Familjare në komuna. Megjithatë, disa komuna kanë hasur në probleme për shkak të neglizhencës nga zyrtarët përgjegjës të tyre dhe kjo ka shkaktuar mungesë të furnizimit në disa raste” deklarojnë nga Ministria.

Ata thonë se aktualisht kanë kontrata valide për barna dhe materiale shpenzuese nga LBE-ja, me 85% të kontratave për barna dhe 92% për materiale shpenzuese.

“Për sa i përket insulinës dhe vaksinave, furnizimi është plotësisht i siguruar, me një nivel prej 100%” thotë Ministria./IndeksOnline/



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit