Detaje të reja: Gruaja që e denoncoi kunatin për dhunim raportoi rrejshëm, futet në telashe me Policinë

- Bota Sot

Detaje të reja: Gruaja që e denoncoi kunatin për dhunim raportoi rrejshëm, futet në telashe me Policinë

Hetimi i nisur pas denoncimit të një rasti të dhunimit në Mitrovicë të Veriut zbuloi se gjithçka ishte inskenuar. Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme që rezultuan se gruaja që kërkoi ndihmë kishte raportuar rrejshëm.

Rasti ishte denoncuar më 4 nëntor, kur 41-vjeçarja, tashmë e dyshuar, e denoncoi vëllain e bashkëshortit, kunatin e saj 53-vjeçar për dhunim, pas një mosmarrëveshje gjoja që kanë pasur mes vete.

Raportimi i saj aktivizoi Policinë dhe i dyshuari u arrestua dhe u ndalua për 48 orë, nën dyshimet për veprën penale “Dhunimi”.

Brenda afatit ligjor janë ndërmarrë veprimet hetimore dhe është vërtetuar se gruaja në fjalë ka deklaruar rrejshëm lidhur me rastin.

E njëjta është intervistuar sërish, ku para hetuesve policorë nuk e ka mohuar raportimin e rremë.

Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurorit, i është ndërprerë masa e ndalimit policor 53-vjeçarit, ndërsa ndaj 41-vjeçares është iniciuar rasti për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot