Takim mes kryedoganierëve nga Kosova e Shqipëria

- Bota Sot

Takim mes kryedoganierëve nga Kosova e Shqipëria

Kreu i Doganave të Shqipërisë Genti Gazheli ishte sot mysafir tek homologu i tij kosovar, Agron Llugaliu.

Ai bashkë me ekipin e tij u pritën në Doganën e Kosovës aty ku u diskutua për shumë çështje që lidhen me operacionet efikase të zhdoganimit në portin e Durrësit, funksionimin e përbashkët në pikën kufitare Morinë-Vërmicë, si dhe u shkëmbyen informata mbi përparimin e zhvillimeve aktuale dhe projekteve që synojnë rritjen e efikasitetit për adresimin e ekonomisë joformale, mbrojtjen e shoqërisë dhe lehtësimin e tregtisë, sipas praktikave më të mira dhe në përputhje me bazën ligjore të BE-së.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Dogana e Kosovës, në këtë takim mes kryedoganirëve u theksua se marrëveshjet për integrimin e sistemeve dhe bashkëpunimi për lehtësimin e tregtisë kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, kursimet për ekonomitë e të dyja vendeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së Portit të Durrësit.

“Një sukses i tillë është reflektuar si arritje e rëndësishme edhe në raportin e fundit të BE-së për vendin”, thuhet aty.

Përfaqësuesit e Doganave të Shqipërisë informuan gjithashtu mbi fillimin e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, duke ndarë informacione të rëndësishme me Doganën e Kosovës, që do të ndihmojnë në përgatitjet për këtë proces.

Ndërkaq, thuhet se drejtorët nga Kosova e Shqipëria ranë dakord për të vazhduar bashkëpunimin në të gjitha nivelet për të siguruar shkëmbim efikas të përvojave për përmirësimin e kapaciteteve doganore për siç kanë thënë, sfidat e ardhshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot