Prizren: Arrestohet për fajde, i dha para viktimës me kamatë mujore 10 %

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Arrestohet për fajde, i dha para viktimës me kamatë mujore 10 %

Hetimi i zhvilluar nga Policia Rajonale në Prizren në koordinim me Prokurorin e Shtetit për një rast të fajdes rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar, gjatë aksionit të zhvilluar të enjten. Operacioni policor ku u aplikuan masa të veçanta, përfshiu edhe bastisje në një fshat në komunën e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.

Ndaj të dyshuarit tashmë është urdhëruar masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor do të ushtrohet edhe kërkesa për masën e paraburgimit.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që përfundoi në prangat e Policisë është Demokrat Shigjeqi, rreth 32-vjeçar, nga fshati Planej i Prizrenit.

Shigjeqi po dyshohet se me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të pasurisë, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiarë të viktimës.

Bazuar në dosjen e rastit, i dyshuari i ka dhënë para viktimës me kamatë mujore prej 10%, raporton Gazeta Sinjali.

Shtëpia e të dyshuarit në fshatin Planej është kontrolluar, ndërsa pas përfundimit të procedurave policore janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

I dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit të Shtetit.

Ndryshe, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, rrezikon të dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë 6 muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa nëse vepra penale rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se 10 mijë euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon dhjetëmijë 10 mijë euro, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një 1 deri në tetë 8 vjet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

P. S  Fotoilustrim



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit