Kërkohet më shumë efikasitet nga sistemi prokurorial në ndjekjen penale të zyrtarëve publikë

- Gazeta e Prizrenit

Kërkohet më shumë efikasitet nga sistemi prokurorial në ndjekjen penale të zyrtarëve publikë

Prokuroria po vlerësohet se nuk po trajton me efikasitet rastet e keqpërdorimeve nga zyrtarët publikë. Andaj organizatat nga shoqëria civile po kërkojnë më shumë punë nga sistemi prokurorial në këtë drejtim.

Trajtimi i rasteve për keqpërdorim nga zyrtarët publikë të profilit të lartë, po shihet si neglizhencë nga ana e sistemit prokurorial.

Disa organizata të shoqërisë civile po shprehin shqetësim për mos-ngritjen e aktakuzave ndaj tyre.

Kenan Gashi nga AVONET thotë se kanë kërkuar nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës efikasitet më të madh në këtë drejtim.

“Ne kemi ngritur shqetësimet tona sa i përket raportit të Auditorit që nxjerrë konstatime dhe të gjetura të nivelit të lartë të kepërdorimit apo të shkeljes së ligjit dhe mbi bazën e kësaj kemi kërkuar nga KPK që të bëjë presion apo të kërkojë llogaridhënie ndaj kryeprokurorëve për raste të tilla”, tha Gashi.

Ai thotë se kanë pasur edhe disa raste kur nuk janë trajtuar me efikasitet nga Prokuroria.

“Ne kemi rastin në Komunën e Ferizajt, Gjilanit, Prizrenit e në veçanti edhe Prishtinës kur nuk janë hetuar apo mbyllur rastet për shkak se nuk i kanë hetuar në mënyrë profesionale dhe të duhur siç duhet të trajtohet edhe siç duhet të vlerësohet edhe të zbatohet ligji”, tha ai.

Edhe Flamur Kabashi nga Instituti Kosovës për Drejtësi thotë se përmes raporteve analitike të tyre, kanë hasur në një gjë të tillë.

“Aktakuzat e profilit të lartë për momentin ka shumë pak aktakzua që kanë kalu dhe qëështë vërtetu me njëfarë forme vepra penale për ata persona të cilët janë ngarku me këto vepra penale”, tha Kabashi.

Ai tregon se kanë hasur edhe në mangësi të hetimeve nga ana e Prokurorisë ndaj të akuzuarve për korrupsion.

“Nga ana e prokurorëve nga ajo që kemi parë prej monitorimit është jo i një standardi të pëlqyeshëm dhe jo i një standardi të kërkuar. Ne kemi aktakuza të cilat edhe përkundër asaj që kanë mundësi zhvillimin e masave të fshehta si prokurorë të çështjes nuk aplikohen masat e fshehta, ne kemi aktakuza të cilat bazohen më shumë në një hetim tërësisht administrativ sesa një hetim që do duhej të ishte në procedurë penale”, tha Kabashi.

Edhe në Raportin e Progresit për vitin 2024 është përmendur si mangësi mosndjekja penale e personave të profilit të lartë.

Tevë1



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit