1000 ditë nga agresioni rus ndaj Ukrainës

- Bota Sot

1000 ditë nga agresioni rus ndaj Ukrainës

Kjo javë shënon 1000 ditë luftime në Ukrainë. Numri në rritje i të vdekurve, sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore dhe bombardimet kanë qenë një realitet i zymtë për miliona ukrainas. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kostutschenko, bisedoi me 32 vjeçarin Oleh Reshetnyak dhe familjen e tij në kryeqytetin ukrainas të Kievit. Familja ukrainase tregon për Zërin e Amerikës se si lufta gati trevjeçare i transformoi jetët e tyre.

Më 21 shkurt të vitit 2022, Oleh Reshetnyak, gazetar i televizionit kombëtar të Ukrainës, dhe gruaja e tij shtatzënë Anna festuan datëlindjen e tretë të vajzës Ivanna në shtëpinë e tyre në Kiev.

Atë mbrëmje, Presidenti rus Vladimir Putin njohu republikat e vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut.

“Oleh dhe babai i tij po ndiqnin lajmet në televizor, ndërsa unë dhe nëna ime u thamë: ‘Ejani, ndoshta është koha për shampanjë? Kemi datëlindjen e një fëmije, mjaft me televizion!’ Ata thanë se ishte shumë e rëndësishme të dëgjonin se çfarë po ndodhte”, kujton Anna Reshetnyak, banore e Kievit.

Tre ditë më pas, më 24 shkurt 2022, Presidenti Putin njoftoi fillimin e luftës në Ukrainë. Anna Reshetnyak, shtatzënë, dhe vajza trevjeçare e çiftit u larguan nga Ukraina, ndërsa Oleh qëndroi pas tyre.

Në prill të vitit 2022, në Danimarkë, Anna solli në jetë vajzën e tyre të dytë, Victoria, ndërsa babai i saj ishte ende në Ukrainë.

“Tanket e pozicionuara janë me kamuflazh, por ende mund të dëgjohen shpërthimet”, dëgjohet tek raportonte gazetari Reshetnyak në atë kohë.

Në verën e vitit 2023, Anna u kthye në Kiev me dy vajzat. Oleh Reshetnyak i investoi kursimet e familjes për të krijuar një studio fotografike, pavarësisht luftës që vazhdonte. Në gusht të vitit 2024, çifti solli në jetë vajzën e tyre të tretë ndërsa pa se si vajza dyvjeçare po përshtatej me jetën ndërsa vendi i saj luftonte agresorin.

“Nga këndvështrimi i jashtëm, të duket çmenduri, një 2-vjeçare e di se çfarë është sirena e sulmit ajror dhe çfarë nënkupton sinjali se sulmi ndaloi. Kur bie sirena ajo vrapon duke thirrur, mama, alarm. Unë i them që të mos shqetësohet sepse gjithçka do të jetë mirë”, tregon Anna Reshetnyak.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 12,000 civilë ukrainas kanë vdekur dhe gati 27,000 janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus. Megjithatë, ekspertët thonë se vendosmëria e ukrainasve për ti rezistuar sulmeve ruse mbetet në të njëjtin nivel si në vitin 2022.

“Rreth dy të tretat e popullit janë të gatshëm të vazhdojnë luftën. Rreth 60-70 % e ukrainasve mbeten të përkushtuar. Pjesa tjetër, rreth një e treta, nuk janë patjetër të gatshëm ti dorëzohen Rusisë, por janë në favor të kërkimit të zgjidhjeve, përfshirë koncesionet nga Ukraina, të cilat i quajnë kompromise të arsyeshme”, thotë Oleksandr Musienko, ekspert ushtarak.

Instituti i Sociologjisë i Ukrainës ka studiuar qëndrimin e popullsisë.

“Kur pyesim se sa e rëndësishme është ekzistenca e një Ukraine të lirë dhe të pavarur, 93% thonë se është absolutisht thelbësore. Vetëm një përqindje e vogël thonë se nuk janë të sigurt ose se nuk është aq e rëndësishme”, thotë për Zërin e Amerikës Yevhen Holovakha me Institutin e Sociologjisë të Ukrainës.

I apasionuar pas historisë, Oleh Reshetnyak shqetësohet se bota, veçanërisht administrata e ardhshme e Presidentit Trump, mund t’i ndërpresë ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe se lufta mund të zgjerohet si konfliktet në të kaluarën.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk marrin parasysh atë që po ndodh këtu, kjo do të shkaktojë probleme të mëdha për botën”, thotë Oleh Reshetnyak.

Në bazë të ligjit ukrainas, zoti Reshetnyak, baba i tre fëmijëve, nuk duhet të luftojë në vijën e frontit. Ai mbetet në Kiev, duke mbështetur luftëtarët me donacione, si dhe duke u bërë thirrje blogerëve që të shtojnë ndërgjegjësimin se lufta brutale ende vazhdon./VOA



Lexoni të gjitha në Bota Sot