Çekia rrit pensionet për ish-disidentët

- Bota Sot

Çekia rrit pensionet për ish-disidentët

Petruska Sustrova ishte gazetare e njohur në Çeki,  përkthyese dhe eksperte e Europës Juglindore. Por edhe pasi arriti moshën e pensionit, asaj i duhej ende të punonte.

“Më duhet të punoj deri në fund të jetës” – thoshte ajo dikur, “sepse vetëm me pensionin nuk ia dal dot”. Gjatë 21 viteve, mes periudhës së pushtimit rus të ish-Çekosllovakisë në gushtin e vitit 1968 - i cili i dha fund epokës së reformave që njihet si “Pranvera e Pragës” - dhe rënies së komunizmit në nëntorin e 1989-ës, Sustrova ishte pjesë e një grupi disidentësh të një profili të lartë që kritikonin regjimin komunist. 

Ajo ishte gjithashtu nga firmëtaret e para dhe më pas zëdhënëse e “Statutit 77”, dokument dhe nismë për të drejtat e njeriut, që kritikonte qeverisjen çekosllovake dhe dështimin e saj për të mbrojtur të drejtat e njeriut, siç parashikonte Akti Përfundimtar i Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (CSCE) në vitin 1975. Ky statut u publikua në Europë në 1 janar të vitit 1977 dhe përfundoi në një fushatë persekutimi ndaj atyre që e kishin firmosur.

Pensione të ulëta për disidentët

Sustrova kaloi disa vite në burg për përfshirjen e saj në këtë nismë dhe nuk i lejohej punësimi për 7 vite me radhë në vitet 1980. Pjesën tjetër të kohës ajo bëri punë të keqpaguara dhe të dorës së dytë. Ajo nuk ishte e vetme në këtë histori: qindra disidentë të tjerë patën fatin e njëjtë e për pasojë morën në këmbim pensione shumë të ulëta.

Deri para kohësh, autoritetet çeke përgjegjëse për pensionet, i përllogarisnin ato në bazë të numrit të viteve të punës dhe pagave që kishin marrë.

Gjithsesi, për kritikët e regjimit si Sustrova, të ardhurat e të cilëve ishin të pakta ose të parregullta për periudha të gjata kohore, pensionet rezultuan të ishin tepër të ulëta. Shumë syresh jetuan në varfëri ose ju desh të punonin edhe pas daljes në pension.

Pasoja të tejzgjatura nga persekutimi komunist

“Persekutimi i ushtruar nga regjimi komunist pati ndikime madhore në pensionet e disidentëve çekë, sepse atyre nuk ju lejua të praktikojnë profesionet e tyre. Mbi të gjitha, koha e kaluar në burg nuk u mor në konsideratë gjatë përllogaritjes së pensioneve të tyre” - i tha Deutsche Welle-s Kamil Nedvedicky, zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve të Regjimeve Totalitare (USTR).

Një nga detyrat kryesore të këtij institute është të menaxhojë dhe të ofrojë qasje në arkivat e sigurimit të shtetit dhe të publikojë dokumente kërkimore akademike mbi epokën e regjimit totalitar të Çekosllovakisë, që përfundoi me “Revolucionin e Kadiftë” në nëntorin e vitit 1989. Kjo çoi në zgjedhjen e disidentit dhe dramatugut Vaclav Havel si president i Çekosllovakisë në 29 dhjetor 1989. Një vit më pas u mbajtën zgjedhje të lira.

Në vitin 1993, Çekosllovakia u shpërbë dhe u krijuan dy shtetet e pavarura dhe demokratike: Republika Çeke dhe Sllovakia.

Pensione të larta për komunistët besnikë

Me një kontrast të fortë me rrethanat e disidentëve, mbështetësit e regjimit të dikurshëm komunist dhe ish-zyrtarët e partisë përfituan pensione të larta.

Për më tepër, disa ish-udhëheqës të regjimit vunë pasuri të konsiderueshme gjatë 40 viteve të qeverisjes komuniste. Këto pasuri përfshinin vila, të cilat atyre ua lejuan t’i kishin në pronësi edhe pas rënies së regjimit. Sot ato vlejnë miliona euro.

Kjo padrejtësi erdhi si pasojë e një sjelljeje qëllimisht të butë ndaj ish-zyrtarëve komunistë nga qeveritë demokratike që pasuan pas rënies së sistemit.

Ishte pjesë e strategjisë së “Revolucionit të Kadiftë” anti-komunist të 1989-ës i cili përfundoi me një kalim paqësor të pushtetit dhe një tranzicioni të shpejtë drejt demokracisë.

Pati edhe një numër komunistësh të rinj që mbanin pozita të larta, të cilët përfituan nga vala e privatizimit që pasoi rënien e komunizmit, e cila i shndërroi ata në sipërmarrës të suksesshëm dhe të kamur. Një prej tyre është edhe oligarku dhe ish-kryeministri çek, Andrej Babis.

Drejtësi pas 35 vitesh

Vitin e shkuar, firmëtarët e “Statuti 77”, Jiri Gruntorad dhe John Bok vendosën se duhet bërë diçka në mënyrë që të kthenin vëmendjen drejt ish-disidentëve që jetonin në gjendje të mjerueshme.

Ata hynë në grevë urie jashtë godinës qeveritare në Pragë, duke kërkuar pensione të larta për veten e tyre dhe miqve të tyre. “Shumë prej këtyre njerëzve u burgosën ose u dëbuan jashtë vendit. Është absurde që tashmë atyre u duhet të luten për më tepër të ardhura” – tha asokohe Gruntorad.

Ndryshimi në Çeki erdhi vetëm si pasojë e kësaj proteste dramatike të dy ish-disidentëve. Qeveria e kryeministrit Petr Fiala amendoi ligjet e duhura dhe rriti pensionet për qindra kundërshtarë të ish-regjimit, duke i çuar ato në shifrën e 800 eurove (840 dollarëve) në muaj. Ky ishte një përmirësim i konsiderueshëm.

Për Petruska Sustrovën, gjithsesi, ky ndryshim u bë vonë. Ajo vdiq në vitin 2023, në moshën 76-vjeçare.

Pensione të rritura për ish-disidentët

Duke folur në 35-vjetorin e “Revolucionit të Kadiftë” gjatë javës së shkuar, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Marian Jurecka, tha se nga rritja e pensioneve përfituan 430 ish-disidentë që të cilët u arrestuan apo dëbuan nga regjimi komunist, dhe për rrjedhojë morën pensione tepër të ulëta për disa vite.

Pensionet e reja u rritën mesatarisht me rreth 175 euro (185 dollarë) më shumë në muaj. "Pas 35 vitesh," tha Jurecka, "po bëhet ky veprim simbolik mbi të shkuarën dhe shumë padrejtësi që janë bërë”.

Ulje pensionesh për ish-zyrtarët komunistë

Ndryshimet ligjore të miratuara vitin e kaluar çuan edhe në uljen e pensioneve shumë të larta që merrnin ish-zyrtarët e regjimit komunist.

Instituti USTR luajti një rol të rëndësishëm në balancimin e rritjes së pensioneve për disidentët dhe uljen e tyre për ish-zyrtarët.

Ministria çeke e Punës konfirmoi se pensionet u ulën për 177 persona, ku ulja më e konsiderueshme arriti në rreth 307euro ose 325 dollarë më pak.

Deri në këtë ulje të bërë me ligj, shifra mesatare që preku ish-udhëheqësit e kohës ishte rreth 59 euro (62 dollarë). Pavarësisht uljes së pensioneve, mesatarja për këtë kategori është rreth 1 mijë euro, sërish më e lartë se pensioni për ish-disidentët.

Komunistët i kundërshtuan ndryshimet

Sipas Nedvedicky- nga USTR, arsyeja pse u ulën pensionet e ish-funksionarëve të lartë komunistë është gjithashtu e kuptueshme: “Pensionet e tyre ishin mbi mesataren, sepse ata vlerësuar për rolin e tyre në persekutimin e disidentëve dhe se pagat e tyre ishin më të larta se ata të një nëpuësi me të ardhura mesatare”.

Partia Komuniste e Bohemisë dhe Moravisë (KSCM) dhe kryetarja e tyre Katerina Konecna, e kundërshtuan ndryshimin e ligjit të pensioneve.

"Pas 35 vitesh, e konsideroj këtë si një tregues të pastër të ushtrimit të pushtetit dhe gjithashtu një trajtim të padrejtë nga qeveria aktuale” tha për DW Konecna, e cila është gjithashtu anëtarë e Parlamentit Europian./DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot