Në Shkodër u prezantua sot studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës–Prishtinë, e njohur si “Hekurudha Kuqezi”, e cila do të kalojë nga Durrësi në Shkodër, më pas në Gjakovë dhe do të përfundojë në Prishtinë.
Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku e cilësoi projektin si “moment historik për Shqipërinë”, duke theksuar se hekurudha nuk është thjesht një aks transporti, por një lidhje kombëtare me rëndësi gjeopolitike.
“Hekurudha Kuqezi do të bëhet nyje ndërlidhëse e tre korridoreve evropiane: Korridorit 8, Korridorit 10 dhe Adriatiko-Jonian, duke e kthyer në një pikë strategjike për zhvillimin politik dhe ekonomik të rajonit”, u shpreh Balluku.
Ministrja theksoi rëndësinë që do të ketë Shkodra si një stacion kyç, ndërsa për Gjakovën tha se “mbart një histori dhe pozicion strategjik të jashtëzakonshëm për lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovës”. Projekti pritet të forcojë ndërlidhjen kombëtare dhe të rrisë rolin e Shqipërisë dhe Kosovës në hartën infrastrukturore evropiane.