Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e 31 majit 2025 në fshatin R0govë, ku një grup personash dyshohet se kanë shtënë me armë, duke shkaktuar rrezik për jetën dhe sigurinë publike. Burime të sigurta të Gazetës Sinjalit bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes është ndërhyrë urgjentisht nga njësitet policore dhe ato të hetimeve.
Pas raportimit për të shtëna me armë rreth orës 22:00, Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta operacionale dhe me urdhër të Prokurorit kujdestar është kryer bastisje në lokacionin e incidentit, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, municion dhe disa gëzhoja që shërbejnë si prova materiale.
Të dyshuar për këtë rast janë: S.H, 63 vjeçar, S.H, 51 vjeçar, F.H, 40 vjeçar, A.H,36 vjeçar, L.H, 26 vjeçar.
Të njëjtit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gjakovë dhe janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre, ndërsa pas konsultimeve me Prokurorin, rasti është iniciuar për katër vepra penale të rënda: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Manipulimi me prova.
Derisa, Policia ka njoftuar për llojet e armëve të cilat janë konfiskuar në këtë bastisje.
“Një pushkë gjuetie me shtatëdhjetë e shtatë (77) fishekë, një armë automatike EN MP5 9X19 me tridhjetë e nëntë (39) fishekë 7.62x39mm, një armë SA-47 me tre karikator me pesëdhjetë e gjashtë (56) fishekë te kal.7.62x39mm, një armë e shkurt pistoletë me dy karikator dhe njëzet e tre (23) fishekë 9×19, një karikator i revoles 9×19 mm dhe dyqind e gjashtëdhjetë e tetë (268) fishekë 9×19 mm. si dhe disa gëzhoja“.
Me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet intensive janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e incidentit.