Editorial: Nga djegia e ‘Farmakosi-t' e deri te leja ndërtimore që çoi në aktakuzë për zyrtarët komunalë të Prizrenit

- Gazeta e Prizrenit

Editorial: Nga djegia e ‘Farmakosi-t' e deri te leja ndërtimore që çoi në aktakuzë për zyrtarët komunalë të Prizrenit

Prizreni tashmë e ka humbur njërën prej gjurmëve të rëndësishme të së kaluarës industriale – fabrikën e vetme farmaceutike në Kosovë, “Farmakos”,  ndërsa përpjekjet për ndërtim në truallin e saj të kontestuar kanë çuar në ngritjen e aktakuzave ndaj zyrtarëve komunalë dhe kundërpërgjigjeve të tyre ndaj nivel qendror, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Më 8 shkurt 2020, një zjarr përfshiu ndërtesën e ish-fabrikës së barnave “Farmakos” në Prizren. Objekti u dogj tërësisht, por për fat të mirë nuk pati të lënduar në njerëz. Ish-drejtues për Emergjenca dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, deklaruan asokohe se zjarri dukej të ishte shkaktuar “me qëllim”.

Pamjet e publikuara atëkohë dhe reagimet e banorëve shtuan dyshimet se djegia
mund të ketë qenë pjesë e një skenari për lirimin e truallit dhe hapjen e rrugës
për zhvillime të reja ndërtimore në këtë zonë.

Nga pronë e trashëgimisë kulturore, në zonë për ndërtime

Zona ku ndodhej “Farmakosi” është e rëndësishme historikisht, pasi aty ndodhej edhe kompleksi “Saraji i Vjetër”, i mbrojtur me status të përhershëm nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve. Investitori kishte kërkuar leje ndërtimore që në vitin 2019, por kërkesa ishte refuzuar për shkak të statusit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Referuar Prokurorisë së Prizrenit, në prill 2024, Komuna e Prizrenit i lëshoi leje ndërtimi investitorit A.Xh. nga Maqedonia e Veriut, për ndërtimin e një kompleksi banesor multifunksional pikërisht mbi gërmadhat e “Sarajit të Vjetër”.

Aktakuza për zyrtarë komunalë

Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit, Pranverim Berisha, dhe një zyrtareje E. TH. të këtij drejtimi, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët dyshohet se kanë lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin për trashëgiminë kulturore dhe Ligjin për ndërtim, duke i shkaktuar dëm të pariparueshëm trashëgimisë në vlerë afër 16 milionë euro.

Reagimet dhe kundërakuzat

Drejtori Pranverim Berisha ka mohuar çdo keqpërdorim, duke e quajtur aktakuzën “politikisht të motivuar”. Ai ka akuzuar prokurorinë dhe Ministrinë e Kulturës se po manipulojnë rastin për qëllime elektorale në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit. “Për rastin e ‘Sarajit të Vjetër vendin në prokurori dhe në burg e ka Hajrulla Çeku dhe zyrtarët e MKRS”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, partia Vetëvendosje ka reaguar ashpër që në vitin e kaluar për ndërtimin te “Farmakosi”, duke e cilësuar atë si “krim të Shaqir Totajt”.

Rast i izoluar apo model i përsëritur?

Ky nuk është rasti i vetëm në Prizren ku objektet e vjetra ose të mbrojtura janë pengesë për leje ndërtimore. Ka disa raste kur për shkak të lokacionit në zonën historike të qytetit, kërkesat për ndërtim janë refuzuar. Megjithatë, në disa raste , objektet janë djegur ose rrënuar, për t’i hapur rrugë ndërtimeve të reja, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e trashëgimisë kulturore në qytet dhe mundësinë që djegia apo rrënimi i qëllimshëm të jenë kthyer në praktikë të heshtur për lirimin e tokës për ndërtime komerciale.

Gazeta e Prizrenit, si një medium i pavarur dhe i përkushtuar ndaj informimit të drejtë publik, do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet që lidhen me këtë rast dhe të tjera me rëndësi për qytetin. Me raportim të bazuar në fakte dhe integritet profesional, mbetemi në shërbim të interesit qytetar dhe transparencës.

Pamjet nga djegia e objektit, me 2020.  

  


Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit