Nëse ka një monument që përfaqëson më së miri ngathtësinë, kalkulimin politik dhe mungesën e vullnetit për zgjidhje reale në Prizren, është ajo shtyllë elektrike gjigante që qëndron në mes të rrugës së tranzitit, ndër më të frekuentuarës, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Edhe pse kryetari Shaqir Totaj ka premtuar disa herë se do të largohet, shtylla gjigante vazhdon të jetë aty, ndoshta duke pritur afrimin e zgjedhjeve që ta “mposhtin” me ceremoni pompoze, drone, kamera, flamuj dhe ndonjë video-spot me extra-montazh e muzikë në sfond.
Sepse siç duket, në pushtetin aktual as një veprim i thjeshtë administrativ nuk ndodh pa u kthyer në spektakël propagandistik
A thua një proces që duhej të ishte teknik dhe i thjeshtë, po zvarritet me shpresën që të kthehet në kartë votash?!
A ka kuptim krekosja me heqjen e kabllove në Shatërvan (projekt për të cilin opozita thotë se është i ish-kryetarit Haskuka) e të mos këmbëngulësh për heqjen e një “alamet” shtylle metalike në një rrugë Transiti, që përbën rrezik jete për shoferë ?!!
Këtu, a bëhet diçka për qytetarët apo gjithçka bëhet për kamera?!
Në këtë stil, mos u çudisni nëse një ditë Totaj del e thotë se edhe diellin e solla unë!, ashtu siç e solli modelin e “Menaxherit me diplomë nga Presidenti Obama”, të cilin e pati bërë bajat, aq sa tash, as vetë në këtë fushatë nuk po e reprizon, duke besuar se sukseset ia fuqizon projekti madhështor i Nënkalimit, Parkingut, Zonës Industriale... /Gazeta e Prizrenit /