Një shpërthim ka tronditur të martën ( 16.06.2026), rreth orës 03:30 një lagje të Prizrenit. Policia është njoftuar për një shpërthim në rrugën “Brigada 128” në Prizren, i cili kishte shkaktuar zhurmë të madhe.
Siç ka raportuar Gazeta e Prizrenit një mjet shpërthyes ishte hedhur në drejtim të shtëpisë së avokatit prizrenas, Betim Kadolli, ku njoftohet se ka dëme materiale.
Policia në Prizren, dha detaje për rastin. Zëdhënësi policor, Shaqir Bytyqi tha se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, të cilët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve.
“Si pasojë e shpërthimit, është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar”, tha ai për Gazeta e Prizrenit.
Nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore. Sipas ankuesve, vlera e përgjithshme e dëmit material është e konsiderushme. Motivet e rastit ende nuk dihen.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e Policisë, si dhe mbikëqyrës e eprorë policorë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti është duke u hetuar.
Lexo edhe:
Tronditet Prizreni: Bombë në shtëpinë e një avokati, shpërthimi zgjon lagjen pas mesnate