Editorial: Alarm – Çfarë po ndodh me “Lirinë” e Prizrenit?

- Gazeta e Prizrenit

Editorial: Alarm – Çfarë po ndodh me “Lirinë” e Prizrenit?

PRIZREN – Çfarë po ndodh me KF Lirinë? Kjo është pyetja që sot rëndon mbi secilin adhurues të futbollit në Prizren. Përveç faktit që skuadra dështoi të rikthehet në elitën e futbollit kosovar, duke u eliminuar që në ndeshjen e parë të barazhit nga Dinamo, kriza te bardhezinjtë tashmë po thellohet në përmasa alarmante.

Eksodi i aksionarëve: Nga katër, mbetet vetëm një!

Sipas raportimeve të portalit AL News, nga katër aksionarë sa kishte klubi deri më tani, në krye të tij ka mbetur vetëm një. Tre prej tyre kanë hequr dorë pa asnjë kusht nga aksionet e tyre, duke ia kaluar ato aksionarit të vetëm, Arbër Bashës.

Derisa klubet e tjera të Ligës së Parë dhe Superligës kanë nisur me kohë riorganizimin dhe planet për edicionin e ri 2026/27, te Liria mbretëron një heshtje. Në faqen zyrtare të klubit nuk ka asnjë lëvizje apo njoftim, ndërkohë që opinionit publik po i servohen informacione shqetësuese vetëm përmes mediave periferike.

Ikje e lojtarëve, kryesia në pritje të një “mrekullie”

Ajo që po shihet qartë në terren është ikja masive e lojtarëve kyç, të cilët po gjejnë angazhime në klube të tjera për shkak të amullisë në Prizren. Pas largimit të tre aksionarëve, pyetja që shtrohet është: Çfarë po bën Arbër Basha? A po “dorëzohet” edhe ai para kësaj krize, apo po pret ndonjë “mrekulli nga qielli” për ta shpëtuar klubin?

Pse po hesht Komuna e Prizrenit?

Në gjithë këtë vorbull, ajo që ngre pikëpyetje të mëdha është heshtja e zyrtarëve komunalë të Prizrenit. Publiku e mban mend mirë kohën kur zyrtarët e komunës nuk përtonin të dalin në fotografi në ditët e sukseseve të Lirisë, duke premtuar madje edhe daljen në Evropë. Kjo derisa e privatizuan dhe tashmë duke e lënë këtë emblemë të qytetit të rrëshqasë drejt “skëterrës”.

Mesazhi është i qartë: Pavarësisht faktit që statusi juridik i KF Lirisë sot është privat, për qytetin e Prizrenit interesi i këtij klubi do të mbetet gjithmonë publik.

Opinioni prizrenas dhe tifozët e shumtë duan dhe meritojnë qartësi të menjëhershme. Komuna e Prizrenit duhet të reagojë dhe të kërkojë llogari apo të gjejë zgjidhje alternative, përpara se të jetë tepër vonë dhe Liria të mbetet vetëm një kujtim i bukur i historisë sonë të futbollit. / Gazeta e Prizrenit /

Lexo edhe:

Liria mbetet pa tre aksionarët prizrenas



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit