Editorial: Paradoksi elektoral i Prizrenit – Kryeqyteti Historik në Parlament përfaqësohet nga shumica minoritare

- Gazeta e Prizrenit

Editorial: Paradoksi elektoral i Prizrenit – Kryeqyteti Historik në Parlament përfaqësohet nga shumica minoritare

Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit kanë nxjerrë në pah një nga paradokset më interesante politike në Kosovë. Komuna e dytë më e madhe në vend – Prizreni, i vlerësuar gjerësisht si Kryeqyteti Historik, ka arritur të sigurojë 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, ndryshe nga ç’mund të pritej, shumica e tyre apo 6 deputetë vijnë nga radhët e minoriteteve përmes votës së rezervuar, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Ky rezultat reflekton një realitet të ri përfaqësimi, ku pesha kryesore e zërit prizrenas në Parlament kësaj radhe nuk do të jetë nga partitë shqiptare, por nga komunitetet joshumicë.

Partitë shqiptare: Dominon LVV

Nga kampi politik shqiptar, Prizreni do të përfaqësohet nga vetëm katër deputetë. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka përsëritur suksesin më të madh në këtë komunë duke siguruar tre mandate: Hajrulla Çeku, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të përfaqësohet vetëm nga Anton Quni.

Paradoksi thellohet edhe më tej kur shihet performanca e partive të tjera të mëdha: PDK-ja dhe as AAK-ja nuk kanë arritur të nxjerrin asnjë deputet nga komuna e Prizrenit në këto zgjedhje.

Komunitetet joshumicë marrin timonin e përfaqësimit

Përfaqësimin më të madh parlamentar nga komuna e Prizrenit kësaj radhe e kanë siguruar komunitetet joshumicë, me gjithsej gjashtë deputetë: tre nga komuniteti boshnjak, dy nga ai turk dhe një nga komuniteti rom.

Sipas subjekteve politike, këta janë deputetët që do të ulen në stolat e Kuvendit:

Subjekti Politik Deputeti/t Komuniteti
KDTP Fikrim Damka dhe Farija Sanije Taçi Turk
Koalicioni VAKAT Rasim Demiri Boshnjak
NDS (Nova Demokratska Stranka) Emilija Redžepi Boshnjak
SDU Duda Balje Boshnjak
PREBK Albert Kinolli Rom

Një realitet i ri politik

Ky konfigurim i ri tregon qartë se si vota e komuniteteve, e ndihmuar nga mekanizmat e vendeve të rezervuara, ka arritur të krijojë një bllok solid përfaqësimi nga Prizreni. Ndërsa partitë e mëdha shqiptare pësuan tkurrje apo dështim në këtë zonë./ Gazeta e Prizrenit



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit