Një fotografi e siguruar përmes rrugëve operative ka çuar në arrestimin e një 25-vjeçari në Prizren, i cili dyshohej për posedim të paautorizuar të armës.
Sinjali mëson se i dyshuari është F. Bobaj rreth 25-vjeç.
Sipas burimeve, hetuesit e Stacionit Policor Prizren, kanë pranuar informacione operative, të shoqëruara edhe me një fotografi ku i riu shfaqej duke mbajtur një pistoletë në dorë.
Pas identifikimit të tij, me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit, Policia ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të Bobajt, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë armë.
Megjithatë, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Festim Bobaj e ka pranuar se kishte poseduar një pistoletë me gaz, duke deklaruar se e kishte sjellë nga Sllovenia dhe më pas e kishte kthyer sërish atje, pa saktësuar kohën apo rrethanat.
Pas njoftimit të Prokurorit të Shtetit për rezultatet e hetimit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.