Në inventarin e pasurive të bllokuara përfshihet pjesa e parcelës në zonën kadastrale Matiçan, në Prishtinë, në vendin e quajtur “Njelmësina”, në pronësi të Sami Mazrekut.
Po ashtu, në pronësi të tij janë bllokuar një varg njësish në objektet banesore në Prishtinë: në Laman A janë sekuestruar banesa në katin e tretë prej 87.1 metra katrorë, banesa në katin e katërt prej 76.6 metra katrorë dhe tri njësi garazhuese në nivelin minus dy B; në Laman B është bllokuar banesa në katin e tretë prej 78 metra katrorë dhe gjashtë njësi garazhuese në nivelin minus një B; kurse në Laman OG janë sekuestruar tri garazhe në nivelin B.
Lista e pasurive të sekuestruara vijon me një shtëpi prej 397 metra katrorë në posedim të përbashkët, ku në çertifikatë figuron banka si pengmarrëse, një shtëpi familjare prej 247 metra katrorë me garazh 23 metra katrorë në adresën Troja në Çagllavicë, në Lagjen Qershia, të regjistruara në tatim në pronë në emër të Sami Mazrekut, si dhe disa apartamente e objekte të tjera rezidenciale të regjistruara në të njëjtën zonë, përfshirë apartamente prej 87, 77 dhe 78 metra katrorë, garazhe shtesë prej 12 metrash, si dhe objekte rezidenciale prej 7 dhe 8 metrash katrorë.
Po ashtu, në pronësi të tij janë bllokuar edhe garazhe të tjera në Matiçan. Masë e sekuestrimit është vendosur edhe mbi një shtëpi familjare prej 199 metra katrorë dhe një garazh prej 18 metrash në adresën Martin Luter King në Çagllavicë, në Lagjen Qershia, në pronësi të Valon Berishës, si dhe një banesë me sipërfaqe prej 104 metrash katrorë e ndërtuar në Prizren, në pronësi të Yll Çollakut.
Krahas pasurive të paluajtshme, autoritetet kanë urdhëruar ngrirjen e 21 xhirollogarive bankare të personave që po hetohen në këtë çështje, me qëllim të sigurimit të mjeteve dhe parandalimit të tjetërsimit të tyre.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës i kanë zgjeruar hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorime në BKS, duke çuar në 69 numrin e përgjithshëm të personave të pandehur në këtë rast.
Në këtë fazë të hetimeve, 21 persona janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën dyshimin për veprën penale të keqpërdorimit të besimit.
Sipas dosjes, të dyshuarit dyshohet se, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2,000 deri në 53,000 euro për person, duke shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200,000 eurosh, ndërsa dëmi i përgjithshëm i evidentuar llogaritet mbi 1 milion euro.
Në listën e personave të intervistuar nga prokuroria figurojnë:
Liridon Makolli
Valon Berisha
Kevsere Veliu
Lindita Cakaj
Rrezarta Tafilaj
Fatime Restelica
Edona Ahmeti
Faik Sylejmani
Fatime Restelica Halimi
Afrim Kryeziu
Arta Kastrati Batalli
Bashkim Vitia
Dorentina Stublla
Lavdim Statovci
Samire Hoti
Saranda Sogojeva
Meriton Berisha
Venesa Gashi
Valmir Rexha
Ilir Prapashtica
Fehmi Kurtishaj
Ky proces është vazhdimësi e aksioneve të mëparshme, gjatë të cilave ishin arrestuar ish-drejtori Sami Mazreku dhe ish-shefi i financave Valon Berisha, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. / Gazeta Insajder
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.