Një operacion i gjerë policor kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit është ndërmarrë gjatë ditës së sotme në disa komuna të rajonin të Prizrenit. Bastisjet janë duke u zhvilluar paralelisht në tri qendra kryesore: Prizren, Suharekë dhe Dragash, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Lajmin e ka konfirmuar për portalin Gazeta e Prizrenit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, i cili bëri me dije se aksioni është duke vazhduar në terren me intensitet të lartë.
“Bastisjet janë duke u kryer deri më tani në rreth 20 lokacione të ndryshme. Mund të konfirmoj se ka edhe të arrestuar,” tha kryeprokurori Kryeziu për Gazeta e Prizrenit.
Referuar informacioneve të para, ky aksion i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike vjen pas një periudhe të gjatë vëzhgimi dhe hetimi.
Aksioni është ende në vazhdim e sipër dhe detaje të tjera rreth numrit të saktë të të arrestuarve apo sekuestrimeve pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të plotë të bastisjeve. /Gazeta e Prizrenit