Mbyllet “Film Flaka”, u prezantuan gjashtë filma

- Bota Sot

Mbyllet “Film Flaka”, u prezantuan gjashtë filma

Për tri ditë me radhë në Teatrin e Qytetit në Gjilan, janë prezantuar gjashtë filma artistik e dokumentar, prodhime të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).

Në natën e tretë, sipas programit janë shfaqur dy filma. Ai i shkurt artistik, “Tisa” me regji të Valter Lucaj, si dhe filmi dokumentar “Rojtari i Bjeshkëve”, me regji të Antoneta Kastrati.

Subjekti i filmit “Tisa”, përshkruhet me sa vijon: Beni është një adoleshent “kuller”, i talentuar në futboll. Ai është i lumtur në trekëndëshin e tij shoqëror, me shokun e tij Gëzimin, i cili gjithashtu luan futboll, si dhe me të dashurën Emën, të cilën që të dytë e pëlqejnë!

Rrugëtimi jetësor i Benit bëhet dramatik kur ai merr një ftesë për një (s’)provë në një ekip futbolli francez! Rrjedha e përmbajtjes së filmit përcillet me elemente narrative, me tekst të ngjeshur, dialogje simpatike, ndërsa kthesa dramatike - kulmi ndodhë në momentin kur Beni pritet të ikën për të vazhduar karrierën në Francë!

Ironikisht, fati i tij, përkundër talentit, është në duartë e burokracisë permanente të “instaluar” nëpër zyret të përfaqësive diplomatikë, si atyre vendor ashtu edhe procedurave burokratike e diplomatike të shteteve përkatëse në Prishtinë.

Filmi i dytë i mbrëmjes, “Rojtari i Bjeshkëve”, i punuar nga regjisorja Antoneta Kastrati, pasqyron orvatjet dhe tratativat e vazhdueshme të një rojtari të bjeshkëve, për t’i shpëtuar ato.

Paraprakisht, në kuadër të “Film Flaka 2024”, janë prezantuar 4 filma tjerë, po ashtu të shkurtë e dokumentarë, kryesisht prodhime nga QKK, si: “Pa Vend”, me regji të Samir Karahoda; “Daullet e Rezistencës”, punuar nga Besa Luci; “Kanarinat e Dinë: nga Kaltrina Krasniqi, si dhe filmi “Një Muaj”, i realizuar nga regjisori, Zgjim Terziqi.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Gjilan, Kushtrim Zeqiri, ka thënë enkas se “Film Flaka” është realizuar me iniciativë vetanake, pa kosto apo Thirrje Publike, duke u shprehur i kënaqur me rrjedhën e filmave dhe prezantimeve.

“Përgjatë këtyre tri ditëve patëm rastin të shohim 6 filma, nga dy në secilën natë. Rëndësia e “Film Flaka” është se rikthen për aderues të filmit pas disa vitesh, krijimet filmike të autorëve vendor. Për “Film Flaka” nuk ka pasur Thirrje Publike. Ajo ka ardhur si iniciativë e DKRS-së, që me ndihmën e QKK-së, është mundësuar shfaqja e filmave.”, ka thënë Zeqiri.

“Flaka e Janarit 2024”, me shtyllat përkatëse që e karakterizojnë tradicionalisht, vijon pjesën teatrale “Talia e Flakës 2024”, duke filluar nga 23 deri më 28 janar.

Ndërsa pasohet me festivalin për fëmijë “Xixat e Flakës”, pjesën letrare në prozë e poezi “Pena e Flakës”, garat e enigmatikës, pjesën artistike/muzikore “Fest Flaka”, si dhe një mori aktivitetesh tjera që i përcjellin ato kryesore, deri më 31 janar 2024.



Read it all at Bota Sot