“Më erdhi një grua shqiptare e hipur mbi mushkë e njomë dhe e hirshme”- Kujtimet e panjohura të mjekut italian

- Bota Sot

“Më erdhi një grua shqiptare e hipur mbi mushkë e njomë dhe e hirshme”- Kujtimet e panjohura të mjekut italian

Kanë kaluar vetëm katër vjet që kur Shqipëria ka fituar pavarësinë dhe shqiptarët ende ndihen si të humbur. Varfëri e tejskajshme, injorancë, dhunë…! Në këto kushte, një i huaj, i “ngecur” në Shqipëri, bëhet dëshmitar i gjendjes. Janë plot 767 letra të panjohura deri më sot nga lexuesi shqiptar, që Damiano Bruno, një mjek arbëresh i mobilizuar në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, ia dërgonte, nga prapavijat e frontit shqiptar, familjes së tij në Itali. Libri, i botuar nga shtëpia botuese “Naimi”, “767 letra nga fronti i Luftës”, është përgatitur për botim në gjuhën italiane, nga Luixhi Intrieri, mbi bazën e letrave origjinale të Damiono Brunos. Në gjuhën shqipe vjen nga Erla A. Velaj.

I ardhur në mënyrë kronologjike, përmes letrave që Bruno i dërgon mbesës së tij, Marielës, na zbulohet Shqipëria e viteve 1916-1919. Mjeku ushtarak, i cili gjatë qëndrimit të tij udhëtoi në shumë zona të Shqipërisë, tregon për shqiptarët, natyrën, zakonet, veset, varfërinë…!

Si një njeri i ardhur nga Italia, nga një vend që njihet si dashurues i grave, Bruno nuk mund t’i kushtonte një vëmendje të veçantë, gjendjes së vështirë të gruas shqiptare. Rrëfimi është i drejtpërdrejtë dhe herë-herë të bën të ndihesh keq, por ndonjëherë edhe të vësh buzën në gaz, me sensin ironik dhe befasitë që çdo ditë i bënin shqiptarët.

Përmes një shënimi prezantues për lexuesin, albanologu i njohur Francesco Altimari, e cilëson librin si “një punë të shkëlqyer kërkimore historike”. “Në fletët e këtij ditari intim, vlen për t’u hulumtuar jeta e përditshme. Mjeku ushtarak e përdor ditarin e tij, jo vetëm për t’i komunikuar të reja së mbesës, por edhe për të shprehur sinqerisht gjendjet më të thella shpirtërore të tij.

Nuk mungojnë gjykimet (por edhe paragjykimet), që mjeku italian shpreh gjatë udhëtimeve ushtarake në Shqipërinë Jugore. Ajo çfarë del nga ditari, është pasqyra e një dramaciteti të vërtetë shoqëror, siç ishte Shqipëria e asaj kohe e sapodalë nga sundimi osman. Vendi jetonte në kushte të rënda moszhvillimi, gjendje e pasqyruar në përshkrimet dhe rrëfimet e mjekut ushtarak”, shkruan Altimari.

Disa letra nga epistolari i Damiano Brunos

Më 2 mars 1917

E dashur Mariela!

Sot m’u desh të bëja një shëtitje lart në mal. Të them të vërtetën, kur erdha, ndihesha i këputur dhe me keqardhje në shpirt. Por nuk pendohem për pikëllimin e së djeshmes. Është mrekulli të ecësh përmes pyjeve të pafundëm të mbuluar të gjithë me dëborë.

Në pjesën më të madhe rruga, ngjason me një galeri pemësh të gjelbërta e të bardha. Malet shqiptare janë të ashpra, por, nën mantelin e dëborës, e humbasin vrazhdësinë, luginat, peizazhi vishet me një pamje fantastike, irreale magjepsëse.

Puthe Marielën dhe Luiginon.

Më 4 mars 1917

E dashur Mariela!

Në fshatin shqiptar, te batalioni 291, ku po qëndroj, dëgjova ulërima grash përtej kodrës, duke thirrur me një këlthitje të thellë si të zogut. Në shqip, gruas i thërrasin “grua” dhe ngjajnë vërtet gra, kur ecin njëra përkrah tjetrës.

Këtu myslimanët nuk përdorin kambana; janë britmat e grave që kumtojnë vdekjen. Mënyra se si vishen, i bën të duken si dallëndyshe që larg, sepse mbajnë pantallona të bardha dhe jelek të zi. Nuk mund ta imagjinosh, sa shumë vizita jam i detyruar t’u bëj shqiptarëve.

Më 5 mars 1917

E dashur Mariela!

Sot në mëngjes erdhi në infermieri një grua shqiptare e hipur mbi mushkë; e njomë, e hirshme, e shoqëruar nga i ati dhe i shoqi. Këtu në Shqipëri të shohësh një grua që trajtohet kaq mirë, është diçka e pazakontë. Për shembull, sot pasdreke pashë një grua të mjerë; e ndihmuam ne për çdo mjekim dhe i dhamë edhe sot pak kafe dhe supë.

Por i shoqi i saj, nuk dukej i prekur nga varfëria apo, nga fakti se ajo ishte në fund të jetës, nuk dukej i prekur as nga vëmendja jonë. Madje, nuk dukej sikur i shoqi, do ta priste vdekjen i palumtur, për të gjetur një grua tjetër.

Më 9 mars 1917

E dashur Mariela!

Përtacia e shqiptarëve është e pabesueshme, madje diçka e përbindshme. Unë vetë kam parë çdo ditë burra që rrinë e tymosin duhan dhe shohin një plakë të shkretë, që prashit tokën, duhanin dhe qepujkat. Më kanë thënë se duke kaluar nga lumi, kishin parë një herë një shqiptar, që kishte hipur mbi shpatullat e një gruaje të gjorë, për të kapur frutat!

Ai meriton ta fusje në ujë të ftohtë brisk e, ta rrihje me kamxhik. Sot, kur po vinim në batalionin 291, bashkë me policët, gjetëm një burrë që po shkonte në qytet së bashku me gruan e tij të vjetër, të ngarkuar si një gomar. Policët e urdhëruan menjëherë gruan, ta mbante ai ngarkesën.

Më 16 mars 1917

E dashur Mariela!

Në qoftë se do të më jepnin detyrë për të mjekuar reparte të tjera ushtarake, unë do ta bëja me kënaqësi. Ajo çfarë më shqetëson, është se duhet të mjekoj popullin shqiptar, që është i mbushur me parazitë dhe nuk mund të hyjnë, pa hequr parazitët e neveritshëm. Tani që do të ngrohet koha, kam menduar t’i bëj vizitat jashtë infermierisë, në vend të hapur.

Kështu që jam duke ndërtuar stola të gurtë; përsipër do t’u hedh një shtresë të hollë çimentoje. Brenda nuk do të vizitoj më, pasi më është dashur të konsumoj shumë acid fenik. Në mëngjes, erdhi një grua e pasur dhe e pispillosur. Pasdite, erdhi një grua tjetër, për të vizituar gishtin e qelbëzuar, por nisi të ngrinte zërin, kur e pashë teksa vinte. U detyrova ta mbaja larg portës.

Më 21 mars 1917

E dashur Mariela!

Shqiptarët që sjellin gratë tek unë për t’i vizituar, i shoqërojnë me seriozitet të madh. Sot erdhi në infermieri një grua e hipur mbi kalë, nën shoqërinë e dy shqiptarëve. Pas vizitës unë i ofrova vermut, por ajo nuk e vuri në gojë. Feja e Muhamedit, i ndalon pijet alkoolike.

Kështu që i dhashë çokollatë, që zuri menjëherë ta hante. Dhe meqë oreksi vjen duke ngrënë, e përtypi të gjithën, në fare pak kohë. Burrave nuk u dhashë asgjë, as edhe një cigare, gjë që këtu e marrin shumë, e dëshirojnë, e pëlqejnë, edhe pse duhani i tyre, nuk është fare i mirë.

Më 24 mars 1917

E dashur Mariela!

Këtu nuk janë kambanat që të turbullojnë, por është era që të verbon dhe çorodit njëkohësisht. Dje, në mbrëmje, në fshat kam parë shumë njerëz, duke shkuar në shtëpinë e dikujt që kishte vdekur. I dërguan një dhi dhe një dash, që më pas i gatuan dhe i hëngrën, së bashku me familjen e të vdekurit.

Në mëngjes, duke shkuar në mal, nga artileria kalova përballë shtëpisë së të vdekurit. Pashë një grua në hyrje të shtëpisë; fliste me zë të lartë dhe yshtte të vdekurin me duar…!

Më 25 mars 1917

E dashur Mariela!

Sot, oficerët e kompanisë së 10-të të batalionit 307, më kërkuan të drekoja me ta dhe më respektuan pafundësisht. Më pas më udhëhoqën për të vizituar rrënojat e një kështjelle të lashtë, por të shkatërruar. Kanë mbetur në këmbë vetëm muret: dhe nga të gjitha anët, është rrethuar nga pellgjet.

Kishëza e vogël e nxirë nga tymi, është ende në këmbë dhe shihen gjurmë afresku në mure. Ndërtimi është i stilit bizantin, rreth një mijë vjet më parë. Në kupolë kanë hapësirë hutat dhe secila nga këto përvijohet nga vrimat, ku shihen përdhosjet e pamatura të shkatërrimeve.

Më 25 mars 1917

E dashur Mariela!

Po bëhem i njohur edhe në Shqipëri. Ditë më parë, duke shkuar në fshat, më shoqëronte një i ri, që bënte të njëjtën rrugë me mua. Ai vetë kishte hipur mbi një mushkë, ndërsa gruan e kishte lënë të ecte në këmbë. Këta njerëz janë xhelozë për gratë dhe mundohen t’ua fshehin fytyrën, por kur takojnë një mjek italian, nisin të miqësohen me të, djaloshi i bën me shenjë të shoqes të mbledhë manushaqe, që janë aq të përhapura, sa lëshojnë aromë në të gjitha fushat.

Kohët e fundit me një mik oficer, ndërsa bënim një ekskursion të largët, takova një bari të vjetër, i cili më përshëndeti dhe më ofroi disa kokrra vezë, por nuk ia mora. E bëri të kuptojë dhe mikun tim, se ishte shëruar nga unë.

Më 8 shtator 1917

E dashur Mariela!

Italia po kryen vepra të mrekullueshme, që së shpejti do të jenë në gjendje t’i ndryshojnë pamjen këtyre tokave; rrugë madhështore, ndërtesa publike, shkolla. Por për t’u ndërruar kostumet shqiptarëve, do të duhen shekuj! Ky popull është kaq apatik sa fle si macet, me sy hapur dhe nuk sheh e as interesohet për gjë.

Kjo pjesë vazhdon të marrë rrugët e saj dhe është me të vërtetë e rrallë të takosh rrugëve, kamionë karvanësh të more-ve. Si ecin mushkat, pranë njëra-tjetrës, pa litar, duke formuar një linjë të pafund, kështu ecin edhe gratë, kokulur, njëra pas tjetrës, po ashtu në heshtje ecin edhe burrat, fëmijët. Sa skllavëri dhe prapambetje!

Më 10 shtator 1917

E dashur Mariela!

Sikur të shihje shqiptarët në mëdyshje e të frikësuar në spital! S’kanë dëgjuar kurrë për mjekët dhe mjekësinë; vetëm kujtojnë dhunën e turqve. Për t’u vizituar për ta është një gjendje që i vë në siklet. Në mëngjes ndodhi që erdhi njëri nga larg dhe për ta mjekuar, duhej durim.

Bënte ecejake, si të ishte një i burgosur. Pastaj mori guximin dhe kërkoi leje, se kur mund të kthehej herën e dytë. Iu përgjigja se, nëse do të lahej e do të hiqte parazitët, mund të vinte kur të dëshironte.

Më 12 janar 1918

E dashur Mariela!

Në Shqipëri gratë bëjnë të gjitha llojet e punëve në fushë: punojnë me shat, korrin, mbledhin ullinjtë, kullosin delet e krasitin pemët e ullirit. Sot, pranë shtëpisë sime një grua u shfaq papritur tek ullinjtë; po i priste degët kuturu, duke e prishur në fund bimën e shkretë, të tharë tashmë nga vitet.

Më shumë se për ta ndihmuar, i thashë të dilte një nga ushtarët e mi, për të krasitur një pemë, në mënyrë që ajo të mësonte se si duhej bërë kjo punë. Gruaja mbeti e kënaqur dhe i dha shumë dru për zjarr. Memorie.al



Read it all at Bota Sot