Luftërat në Izrael dhe Ukrainë në qendër të konferencës së sigurisë në Munih

- Bota Sot

Luftërat në Izrael dhe Ukrainë në qendër të konferencës së sigurisë në Munih

Politikanë, zyrtarë ushtarakë dhe diplomatë të lartë nga e gjithë bota mblidhen të premten në Munih në një konferencë të sigurisë që do të mbizotërohet nga luftërat në Izrael dhe Ukrainë, si dhe nga shqetësimet rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kancelari gjerman Olaf Scholz, dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy janë ndër zyrtarët më të lartë që marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, një mbledhje vjetore e përqendruar në fushat e mbrojtjes dhe diplomacisë.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog dhe kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh, gjithashtu pritet të marrin pjesë në konferencën, e cila fillon të premten dhe do të zgjasë deri të dielën në hotelin luksoz Bayerischer Hof, në qytetin jugor gjerman.

Konferenca zhvillohet ndërsa lufta në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, në të cilën janë vrarë më shumë se 28,000 palestinezë dhe rreth 1,430 izraelitë, hyn në muajin e pestë dhe nuk po i shihet fundi.

Konferenca zhvillohet po ashtu pak para se agresioni rus në Ukrainë të hyjë në vitin e tretë.

Të dyja luftërat kanë nxitur frikën për përhapjen e mundshme rajonale.

Bota është bërë më e rrezikshme”, i tha të mërkurën agjencisë së lajmeve Reuters Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha se zyrtarë nga vendet evropiane që ndihmojnë në financimin e territoreve të pushtuara palestineze dhe shtetet kryesore arabe dhe të Gjirit, do të takohen në kuadër të konferencës për të filluar diskutimin mbi të ardhmen për Izraelin dhe popullin palestinez, pas një armëpushimi të mundshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjithashtu pritet të marrë pjesë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz tha se do të shkelte në tokën gjermane për herë të parë për të mbajtur një fjalim kryesor në konferencë. Ai nuk e kishte bërë këtë më parë pasi u rrit në një familje të të mbijetuarve të Holokaustit.

“Do të bëj gjithçka për sigurinë e Izraelit, të ardhmen tonë dhe lirimin e pengjeve”, tha ai.

Ukraina në pritje të ndihmës amerikane

Presidenti ukrainas Zelenskiy pritet të kërkojë më shumë mbështetje për Ukrainën, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan po zvarritë miratimin e një paketë ndihme ushtarake shumë miliardë dollarëshe për vendin e tij.

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se vonesa po ndjehet tashmë në fushën e betejës. "Mbështetja jonë është absolutisht thelbësore në arritjen e objektivave që ka Ukraina".

Zyrtarët evropianë dhe amerikanë po paralajmërojnë gjithnjë e më shpesh për rrezikun që presidenti rus Vladimir Putin mund të sulmojë vendet e tjera nëse operacioni i tij ushtarak në Ukrainë del i suksesshëm.

Organizatorët thanë se asnjë zyrtar rus nuk u ftua në konferencë për të dytin vit radhazi, pasi ata nuk duken të interesuar për dialog kuptimplotë.

Hija e ish presidentit Trump

Konferenca mbahet në një periudhë kur angazhimi i Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët është vënë në dyshim, ndërsa shtohen gjasat që Donald Trump të fitojë një mandat të dytë.

Shqetësimet e tilla kanë rihapur diskutimet në Evropë për më shumë “autonomi strategjike”. Deri kohët e fundit, ideja u përkrah vetëm nga një grusht vendesh, veçanërisht Franca, por po fiton mbështetje dhe ka të ngjarë të trajtohet në konferencën e sigurisë.

Ish presidenti Trump, sugjeroi të shtunën e kaluar se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbrojnë aleatët e NATO-s të cilët dështojnë të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen, duke shkaktuar tronditje në Evropë.

Nënpresidentja Harris është planifikuar të mbajë atë që ndihmësit e kanë cilësuar një fjalim madhor mbi "rëndësinë e përmbushjes së rolit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen globale".

Zonja Harris gjithashtu ka të ngjarë të vëzhgohet nga afër për aftësinë e saj për të udhëhequr pasi një raport i prokurorit të Departamentit të Drejtësisë javën e kaluar e përshkroi presidentin Biden, 81 vjeç, “një burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”. Donald Trump është 77 vjeç.

Çështje të tjera të mëdha ndërkombëtare do të shfaqen gjithashtu në konferencë, si konfliktet në Bririn e Afrikës si dhe marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Kinës./VOA



Read it all at Bota Sot