“U ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë, por u qëllua me...!”/ Vrasja e Avni Rustemit, ja çfarë ndodhi me 20 prill 1924

- Bota Sot

“U ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë, por u qëllua me...!”/ Vrasja e Avni Rustemit, ja çfarë ndodhi me 20 prill 1924

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi dje në 100- vjetorin e ndarjes nga jeta, “Heroin e Popullit”, Avni Rustemin. Avni Rrustemi, emri i të cilit sot është vendosur në shenjë nderimi në shkolla dhe rrugë të ndryshme, lindi në Libohovë në një familje atdhetare.

I ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas vazhdoi Normalen e Elbasanit dhe pastaj kolegjin e Shën Mitër Korone në Itali, kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Më 1910 tentoi për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane, gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke.

Gjatë veprimtarisë së tij, më 1910, ai punoi si mësues në Libohovë, në Tragjas të Vlorës më 1913 dhe në Tepelenë e në Vlorë në vitet 1916-1918. Më 1918 me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin “Djalëria e Vlorës” dhe në krye të saj organizoi demonstratën e 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë. Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi “Lidhjen e Rinisë Shqiptare”, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris, Esat Pashë Toptanin. Gazeta e njohur franceze “Le Meiroir”, më datë 20 qershor 1920 publikoi një fotografi të panjohur deri me sot të Avni Rustemit. Në këtë foto, ai shihet i torturuar barbarisht nga policia franceze pasi kishte kryer atentat ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris. Megjithatë, Avni Rrustemi u lirua pas vetëm 6 muajve. Me rikthimin e Avni Rustemit në Shqipëri, veprimtaria e tij politike vjen duke u intensifikuar. Pikërisht, më dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri, që mori emrin federata “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.

Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës “Atdheu”, në gusht 1922, përsëri me nismën e Avni Rustemit, më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike “Bashkimi”. Avni Rustemi nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Daljen e vendit nga prapambetja, Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. “Pa pavarësi ekonomike, – shkruan ai, – nuk mund të ketë pavarësi politike”. Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fudullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi. Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit nga njerëz të vënë prej qeverisë së asaj kohe, atij i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë, ku vdes 2 ditë më vonë pikërisht më 22 prill 1924. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjes, që triumfoi më 10 qershor 1924.

Veprimtaria – Në mars 1908 ndërpreu mësimet në Medresenë e Janinës dhe u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit. Më pas ndoqi Shkollën Normale të Elbasanit (1909-1910) dhe kolegjin francez të Lozanës (1912-1913), ku themeloi shoqatën patriotike të studentëve shqiptarë “Burimi”. Në vitin 1914 mori pjesë në trupat vullnetare që luftuan kundër bandave të andartëve grekë. Organizoi më 28 nëntor 1918 demonstratën e popullit të Vlorës kundër trupave pushtuese italiane. Kreu kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër të Kalabrisë dhe më pas studimet e larta për pedagogji në Universitetin e Romës (1919). Avni Rustemi, më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Toptanin.

Në fund të vitit 1920 u kthye në Shqipëri dhe filloi menjëherë ngritjen e organizatave profesionale të arsimtarëve, duke bashkuar të gjitha shoqëritë demokratike të vendit në federatën “Atdheu” (1921). Më pas themeloi shoqërinë “Bashkimi”. Avni Rustemi vdiq pas një atentati që iu bë në Tiranë më 22 prill 1924. Në varrimin e tij në Vlorë me një pjesëmarrje të madhe të popullit u mbajtën fjalime të zjarrta nga përfaqësuesit e forcave demokratike. Kjo ngjarje afroi shpërthimin e Lëvizjes së Qershorit (1924). Shqiptarët e shohin Avni Rustemin si një hero kombëtar që luftoi për demokratizimin e Shqipërisë dhe vrau Tradhtarin Kombëtar Esat Pashë Toptani, i cili do t’ua shiste vendin fqinjëve. Avni Rustemi ka qenë objekt edhe i shumë filmave artistikë, në shumicën e tyre ai shfaqet si hero kombëtar, që vrau tradhtarin e kombit. “Dy Krisma në Paris” është një dramë e Sheri Mitës, Pëllumb Kullës me temë vrasjen e Essad Pashë Toptanit në Paris dhe gjyqin e Avni Rustemit.

Atentati – Më 31 maj shkoi në Paris ku zuri një dhomë në hotelin “Prince Albert”. Ndërroi vend dy herë dhe më pas mori një banesë me qira në nr. 32 të lagjes “Montmartre”, në hotelin “Toulerie” ku hyri më 2 qershor. Kishte bërë një vizitë mjekësore për sëmundje veneriane. Më 13 qershor 1920 i bëri atentat Esat Pashës duke i shtënë dy herë pas shpine, tek po dilte nga restoranti ku po drekonte, në rr. “Castiglione”. Rustemi u rrah nga kalimtarët, shoferët dhe personeli i hotelit e çarmatosi. U mbajt në hotel deri kur mbërriti policia.

Në gjyqin që iu bë u radhitën dëshmitë: Rustemi që kur kishte mbërritur në Paris kishte kërkuar për një dyqan armësh dhe një poligon, i kishin gjetur një shumë parash në kartëmonedha franceze e italiane – për të cilën deklaroi se ia kishte dhënë vëllai, kishte zënë me qira një shtëpi pranë hotelit ku kreu atentatin dhe hante në restorant. Më 1 dhjetor 1920 vendimi i gjykatës i jep pafajësinë, sipas burimeve të përdorura nga historiani Kastriot Dervishi, atentati ishte i shtyrë nga Aqif pashë Biçakçiu – djali i tezes dhe rivali politik i Esai Pashës – dhe paratë për ta financuar u nxorën nga fondet e Këshillit të Naltë.

Rikthimi – Më 24 dhjetor u kthye në Shqipëri. Kur u kthye, u përpoq të bashkonte shoqëritë e ndryshme, kongresi i mbajtur më 25-28 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata “Atdheu” me 25 shoqëri dhe 15 katundari. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi, Tromara sekretar, Gurakuqi sekretar, Seit Qemali këshilltar e Pejani inspektor. Deputetët miratuan një ndihmë financiare për këtë federatë, të cilën e hoqën pak kohë më pas. Federata kishte qëllim depërtimin tek nëpunësit e shtetit. Nisur nga kjo, qeveria Ypi urdhëroi mbylljen e kësaj federate. Në këto kushte Rustemi më 13 tetor 1922 themeloi në Tiranë shoqërinë “Bashkimi”.

Prej kontakteve me të dërguarit sovjetik në Romë, shoqëria qe vendosur të krijohej që kur ndodheshin në kryeqytetin italian Rustemi, Jonuz Blakçori dhe S. Gàzulli. Synimi i kësaj shoqërie ishte tërheqja e rinisë në radhët e saj dhe shkatërrimi i klasës politike në pushtet. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 i rreshtuar si armik i Zogut dhe duke pasë bërë aleancë me Bajram Currin, kandidoi në dy zona: në prefekturën e Gjirokastrës ku kishte vendlindjen dhe në prefekturën e Kosovës. Rustemi humbi në trevën e tij dhe fitoi në atë të Kosovës falë ndërhyrjes së Bajram Currit në këto votime. Por edhe në prefekturën ku doli fitues, në dy qendra mori zero vota. Qendra e vetme që nxori fitues Rustemin, njohu forcën e çdollojshme të Bajram Currit. Veprimi i shoqërisë “Bashkimi” dhe simpatizantëve të saj ishte orvatja për vrasjen e Zogut në sallën e Kuvendit Kushtetues nëpërmjet Beqir Valterit më 23 shkurt 1924.

Organizator i ngjarjes ishte Rustemi dhe të tjerë të implikuar ishin Sali Hidri (Hoxha), Sejfulla Malëshova, Omer Nishani etj.. Rrustemi pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kuvendin Kushtetues më 12 prill 1924, rikthehet në Tiranë më 20 prill, duke u paraqitur në Kuvend për të kërkuar leje tremujore. Kishte nisur procedurat për marrjen e një vize amerikane. Rreth orës 16-17.00 i shoqëruar nga disa miq po shkonte për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimit, Fahri Rashit Gjilanin. Kur arritën në Varrezat e Pashës (më pas sheshi “Avni Rustemi”, Pazari i Ri), në çastin që Rustemi u ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë me Hoxhë Kadriun, u qëllua me një plumb nga mullixhiu Jusuf Reçi. Ali Këlcyra e strehoi në shtëpi, më pas e çuan në spital. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Rustemi vdiq më 22 prill 1924 nga hemorragjia.

Varrimi – Opozita organizoi një varrim me efekte revolucionare të Rustemit në Vlorë. Ceremonia u bënë si në Tiranë, ashtu dhe në Vlorë. Filluan më 28 prill me ceremonitë e zhvilluara para sheshit të xhamisë së vjetër në Tiranë. Një kamion i mbuluar me të zeza barti trupin e viktimës nga Tirana për në Durrës, ku shoqëruesit hipën në vaporin “Beograd”, i cili nisi rrugën drejt Vlorës me flamujt jugosllavë e shqiptarë, për të mbërritur më 29 prill 1924.

Sipas gazetarit Roland Qafoku, zemrën ia nxorën Avni Rustemit për ta ruajtur dhe trupin ia balsamosën për ta transportuar në Vlorë për varrim”. “Si një objekt trofe zemra e Avni Rustemit u vendos në kushte ruajtjeje në një vazo, e zhytur në një solucion që e ruante përjetësisht dhe iu dorëzua farmacistit të Vlorës Nasho Qirko, që shërbente në farmacinë numër 1 të qytetit. Për 39 vjet zemra u ekspozua në farmaci, e vetmja farmaci në Shqipëri që shërbente për dy funksione; për të blerë ilaçe, por edhe si një ekspozitë për të parë zemrën e Avni Rustemit. Pas vitit 1963 nuk ka asnjë të dhënë se ku përfundoi zemra. Ekziston një kërkesë që zemra të kthehej në vendlindjen e Avniut në Libohovë, por nuk është konfirmuar kurrë që zemra të ketë shkuar atje”, – është shprehur ai. Xhenazja u bart përsëri nga një kamion i zi për në xhaminë e qytetit, ku u bënë sërish lutjet e rastit. Vrasja e Esat Pashë Toptanit, njërës prej figurave më të stigmatizuara nga historiografia shqiptare, theksoi mundësinë e zhdukjes fizike të personazheve politike me rëndësi dhe bejlerëve në veçanti. Ndër shtresat e mesme dhe në të rinjtë përhapi idenë e shkatërrimit të kastës politike të formuar kryesisht nga bejlerët.

Këto ide u mishëruan në formimin e shoqërisë “Atdheu” dhe shoqërisë “Bashkimi” pas saj, të cilat gjithashtu u bënë ndër provat e hershme të organizimit të një lloj “rinie fashiste shqiptare”, e cila më vonë u bë bërthama e parë komuniste me grupin komunist që shkoi në Bashkimin Sovjetik. Sipas Ali Këlcyrës, meqë opozita e kohës kishte bindjen se vrasja e Rustemit ishte vetëm një komplot qeveritar, i vendosi kusht qeverisë që brenda 48 orëve të dorëzoheshin komplotistët. Pas mosmarrjes së masave, u organizua varrimi, me anë të të cilit opozita dhe partizanët e saj intelektualë u nisën drejt Vlorës ku dhe ndenjën të tërhequr. Atje u formua një komitet revolucionar i drejtuar nga Fan Noli, prej të cilit lindi Lëvizja e qershorit.

Eqrem bej Vlora e përshkruan te “Kujtimet” si “një nga studentët më të pasuksesshëm, të cilët tentojnë të shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje… me anë të një vrasjeje të pabesë i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat Pashës”. Pas pushtimit italian, qe ndër figurat antizogiste të cilat u nderuan nga administrata bashkëpunuese, duke iu dhënë emri sheshit ku u vra, ndërsa në Vlorë u zhvillua një ceremoni nderimi ku përmendej se ideali i tij ishte fashizmi. Nderimi i tij vijoi përgjatë regjimit komunist, ku përpos të qenit antizogist që përputhej me narrativën fashiste, shtohej edhe aspekti revolucionar kundër shtresave të pasura, duke u nderuar me titullin “Hero i Popullit”.



Read it all at Bota Sot