Misteret e vdekjeve të bujshme: zbulimet e profesor Bardhyl Çipit në mjekësinë ligjore

- Bota Sot

Misteret e vdekjeve të bujshme: zbulimet e profesor Bardhyl Çipit në mjekësinë ligjore

Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj.

Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara.

Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania noëadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).

******

 Monoksidi i karbonit, gazi vdekjeprurës i kudondodhur

                   (Vdekjet e Anita Bitrit dhe katër turistëve rusë në Shqipëri)

Edhe në vendin tonë ka pasur mjaft raste vdekjesh nga oksidi i karbonit, me një pjesë të të cilave jam ndeshur edhe unë gjatë ushtrimit për një kohë shumë të gjatë, të profesionit të mjekësisë ligjore.

Por ajo që m’u kujtua në fillim ka qenë vdekja e këngëtares së njohur shqiptare, Anita Bitri, së bashku me nënën dhe vajzën e saj, më 19 tetor 2004, në Staten Island të Nju Jorkut.

Nga ekzaminimet mjeko-ligjore dhe toksikologjike, si dhe shqyrtimi i të dhënave hetimore dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, ajo u konsiderua si një rast i ndodhur për shkak të bllokimit të tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit (CO) të kaldajës së sistemit të ngrohjes, nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të një ballkoni, në pjesën anësore të shtëpisë ku banonin viktimat.

Si pasojë e këtij bllokimi, ato u helmuan nga gazi vdekjeprurës i oksidit të karbonit, që kishte mbushur mjedisin e brendshëm të shtëpisë, nga bojleri që ndezi vetë viktima një natë më parë, për t’u ngrohur, sepse koha ishte ftohur shumë. Rasti u konsiderua aksidental dhe nuk u shoqërua me ndjekje penale të ndonjë personi.

Rasti i vdekjes së katër turistëve rusë në Shqipëri

Po ngjarja më e rëndë e helmimit vdekjeprurës nga monoksidi i karbonit që ka ndodhur në vendin tonë, padyshim ka qenë ajo e vdekjes së katër turistëve rusë, më datën 15 tetor 2021, në një hotel të fshatit Qerret, të rrethit të Kavajës, për të cilën, një muaj e gjysmë më vonë, në një intervistë telefonike, gjatë një emisioni televiz të gazetares së njohur Klodiana Lala, unë shpjegova aspektet mjekoligjore të këtij rasti tragjik, me katër vdekje.

Kjo bisedë televizive, ndofta e bë shkaku që më shtyu që unë t’i shqyrtoj me më shumë kujdes të gjitha rrethanat, të dhënat hetimore, toksikologjike, mjeko-ligjore të këtyre vdekjeve, të paraqitura në mediat visive dhe shtypin e vendit tonë, duke u mbështetur edhe në përvojën time dhe literaturën e pasur përkatëse.

Madje për t’i plotësuar sa më shumë këto të dhëna, unë u takova edhe me prokurorin, që më tregoi edhe dosjen penale të kësaj ҁështjeje, në lidhje me aspektet mjeko-ligjore të saj.

Sipas dosjes së prokurorisë rezulton se; më 15.10.2021, ora 22.10, është marrë njoftimi se në Qerret, Golem Kavajë, në Hotel “Gloria Palace”, në ambientet e SPA-së, janë gjendur katër persona pa shenja jete, që rezultuan të ishin të katër shtetasve rusë: dy prindër, vajza dhe dhëndëri i tyre.

Itinerari i lëvizjeve deri në vdekjen e tyre ka qenë pak a shumë ky:

Viktimat kanë qenë akomoduar në këtë hotel, që më datën 10 tetor 2021. Pas disa ditëve të qëndrimit në hotel, më 15.10.2021, kanë udhëtuar drejt Maqedonisë së Veriut dhe në orën 10.07 kanë kaluar kufirin e Qafës së Thanës; Atje ata janë ushqyer dhe po atë ditë, në orën 17.07, kanë hyrë përsëri në Shqipëri, nga pika kufitare e Tushemishtit. Janë ndalur vetëm në Librazhd, ku janë ushqyer përsëri. Në orën 20.00, janë kthyer në hotel ku kishin prenotuar ambientet e SPA-së, që një ditë më parë, dhe kanë porositur për disa ushqime, që të çoheshin në dhomat e tyre. Ata janë gjetur të vdekur në ambientet e SPA-së nga personeli i hotelit.

Pas njoftimit nga hoteli, u krye menjëherë, nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, këqyrja e vendit të ngjarjes. Kufomat u gjetën në katin përdhe (kati 0) të godinës së hotelit, ku në anën veriore të këtij kati, ndodhet zona e pishinës së ngrohtë dhe SPA-së. Të vendosur në një ambient me përmasa 22.2 -8.4 m., në qendër të të cilit ndodhet pishina, me përmasa 11.5 x 6.5 m., me volum 60 m3 uji.

Në skajin veri perëndimor të këtij ambienti, gjendet e vendosur, sauna e cila në momentin e këqyrjes, rezulton në punë dhe në pultin e saj, lexohet shënimi elektronik 19.14 dhe temperature 63 gradë celsius. Përreth perimetrit të pishinës, gjenden të vendosura radhazi shezllone plastike, me ngjyrë të bardhë.

Në cepin veri-lindor të pishinës, pranë shezlongut të parë në radhë, përdhe, gjendet e shtrirë në mënyrë të ҁrregullt, kufoma e një shtetasi mashkull, i identifikuar më pas si ajo e shtetasit S. B.

Në anën lindore të pishinës, në mesin e gjatësisë së saj, gjenden pranë njëra-tjetrës, dy kufoma të tjera, një mashkull dhe një femër, e identifikuar si N. B. dhe N. B. dhe këto dy kufoma, të shtrira në gjendje të çrregullt. Në anën perëndimore të pishinës, në shezllongun e mesit, gjendet e shtrirë dhe pa asnjë shenjë jete, kufoma e shtetases E B.

Nga këqyrja e jashtme e kufomave, tek asnjëra prej tyre nuk u vërejtën dëmtime të jashtme trupore (shenja dhune).

Nga ambienti i vendit të ngjarjes u morën në cilësinë e provave materiale, dy telefona celularë të viktimave dhe veshjet e përdorura prej tyre. Në vijim nga uji i pishinës, u morën konform procedurave standarde, për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik, dy kampione uji, të ndarë nga njëri-tjetri, një për ekzaminim me volum 1000 ml. dhe një për ruajtje, volum 100 ml.

Gjithashtu u morën për ekzaminim të mëtejshëm edhe dy kampionë pluhur, në dukje si klor që përdoret për dezinfektimin dhe përpunimin e ujit të pishinës; kampionët e klorit u morën të ndara në masën nga 100 ml. secila, një për analiza dhe tjetra për ruajtje. Gjithashtu nga dhomat në të cilat ishin akomoduar viktimat, u morën për ekzaminime të mëtejshme produktet ushqimore dhe mbetjet e tyre, me qëllim që ato të ekzaminoheshin.

Ditën tjetër, më 16.10.2021, u krye autopsia e katër viktimave. Në ekzaminimet mjeko-ligjore të tyre u vunë re shenjat karakteristike të vdekjeve asfiktike, si dhe ngjyra e kuqe e çelur e indeve, në të katrë viktimat. Këto të dhëna, jepen në aktet përkatëse mjeko-ligjore, të shoqëruara me analizat toksikologjike, që rezultuan që gjaku i tyre, përmbante onoksid karboni, në shifrat 75 – 80 %.

Rezultatet mjeko-ligjore të këtyre katër vdekjeve, u shpallën kur kishte kaluar më shumë se një muaj, nga ndodhja e kësaj ngjarjeje tragjike. Kështu që gjatë muajit të parë pas këtyre vdekjeve, u dyshua më shumë për një helmim nga klori, ose avujt e tij, një helmim ushqimor, apo biologjik, etj.

Mjaft kohë më pas, është kryer edhe një eksperiment hetimor në të njëjtat kushte që ka ndodhur ngjarja, për të përcaktuar, nëse CO në ajër ka ardhur si pasojë e keqfunksionimit të kaldajës në hotel dhe mungesës së sistemit siç duhet të ventilimit, apo për arsye të tjera. Nga kryerja e tij, nuk u arrit ndonjë rezultat.

Pikërisht, në intervistën e dhënë prej meje, në dhjetor të vitit 2021, unë shpjegova, midis të tjerave:

Monoksidi i karbonit (CO), i dalë në rezultatet e ekspertizës është një nga helmet më të rrezikshme dhe në momentin që ai lidhet me hemoglobinën, bëhet vdekjeprurës. Vdekja e tyre ka ndodhur për arsye se problemi në kaldaja, duhet të jetë shumë i rëndë, që vdiqën të katër bashkë. Monoksidi i karbonit është një gaz pa erë e peshë sa të ajrit dhe formohet kur ka djegie. Ai konsiderohet një nga helmet më të rrezikshme dhe më të përhapura. Ka si veti që të lidhet, me hemoglobinën e gjakut.

Në rastet kur futet monoksidi në trup, nëpërmjet frymëmarrjes, ai lidhet me hemoglobinën e rruazave të kuqe të gjakut, dhe kjo lidhje me të, është 250 herë më e fuqishme se ajo me oksigjenin. Varet nga sasia e gazit të oksidit të karbonit, në vendin ku ndodhet njeriu. Oksigjeni zëvendësohet me këtë gaz dhe shfaqen shenjat e helmimit, me dhimbje koke, marrje mendsh. Ka edhe një lloj euforie, e ngjashme me dehjen. Pastaj kalohet në fazën e dytë, ku njeriu ka pamundësi në të lëvizur, pastaj bie në koma dhe vdes.

Në rastin konkret, fakti që këta katër viktima të gjetura të vdekura në të njëjtën ambient, gjaku i të cilave përmbante CO në sasi shumë të lartë, e vërteton në mënyrë të saktë; që vdekja e tyre ka ardhur nga helmimi, me oksid karboni.

Viktimat në këto vdekje, paraqiten me një ngjyrë të të kuqe të çelur të trupit të tyre, e ngjashme me atë njeriut të gjallë, siç u gjetën edhe në këtë ngjarje.

Në momentin kur kanë hyrë punonjësit, ambienti është pastruar. Këtu është diçka që duhet parë me kujdes, fakti që këta vdiqën të katërt, tregon se mundësia për një defekt në kaldajë, të jetë shumë e madhe”.

Në të vërtetë, arsyeja kryesore, që unë po e bëj përsëri këtë analizë mjaft të hollësishme të këtij rasti, është se kjo ngjarje e rëndë vdekjeprurëse, kur ka kaluar një kohë e gjatë, vazhdon të mbetet ende e pazbuluar, në lidhje me rrethanat dhe shkakun e këtij helmimi.

Në fillim unë dua të theksoj punën e ekipit të ekspertimit të Institutit të Mjekësisë, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë mjaft vite më parë, i cili arriti të përcaktojë me saktësi, si shkaktar të këtyre katër vdekjeve: helmimin nga CO (oksidi i karbonit).

Përveç kësaj, unë po përmend edhe të dhënat e literaturës së huaj, sipas të cilës, vdekjet nga helmimi me CO, të ndodhura në mjediset e mbyllura të pishinave dhe saunave të hoteleve, kanë ndodhur në mjaft raste në SHBA-ës, për shkak të defekteve të pajisjeve ngrohëse dhe atyre të ventilimit, të mjediseve të mbyllura të këtyre pishinave.

Por cilat janë të metat, që mund të kenë ndikuar negativisht në mos zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje ,në fshatin Qerret të Kavajës?

– Së pari, për këtë rast tragjik, u mendua menjëherë në fillim, për vdekje të ndodhura kryesisht nga helmimi me klor, ose avujt e tij, helmim ushqimor, ose biologjik, etj. Kështu, me aq sa kam arritur të verifikoj, nga të dhënat e marra prej meje në Prokurorinë e Kavajës dhe atyre paraqitura në shtyp, në këqyrjen e vendit të ngjarjes, menjëherë pas ndodhjes së saj, nuk rezulton të jenë parë dhe kontrolluar instalimet, për ngrohjen e mjediseve të brendshme të pishinës dhe saunës të hotelit: kaldaja ngrohëse e instaluar përjashta hotelit, me tubacionet e saj, sistemi i ventilimit, etj.

– Së dyti, ka një vonesë të pashpjegueshme, mbi një muaj, në shpalljen e rezultateve të plota të autopsive të viktimave, që përmbajnë edhe ekzaminimet toksikologjike përkatëse, për zbulimin e shkaktarit të vërtetë të këtij helmimi të rëndë, ndërkohë që rezultatet e ekzaminimeve toksikologjike, të vdekjes të shkrimtarit Francez Emil Zola, i kryer 120 vite më parë, e kanë zbuluar dhe shpallur në shtyp këtë helmim, shumë shpejt, vetëm 2-3 ditë, pas vdekjes së tij.

Ndërsa në rastin e vdekjes së katër turistëve rusë, gjatë kësaj periudhe mbi një-mujore, u kërkua kryesisht për helmim nga klori dhe avujt tij. Më vjen keq, ta deklaroj konstatimin e këtyre të metave, që kanë ndikuar padyshim në mos zbulimin e plotë të kësaj ngjarjeje, të cilat mund të kenë ndodhur, për arsye të ndryshme.

Unë po i shpall ato, sepse ky është një rast i rëndë, me katër jetë njerëzore të humbura, për të cilat mjekësia ligjore, një shkencë e vënë në shërbim të interesit kolektiv dhe drejtësisë shoqërore, së bashku me organet përkatëse të drejtësisë, kanë detyrimin, që t’i sqarojnë këto vdekje, në të gjitha detajet e tyre. Për fat të keq, për këtë ngjarje tragjike, Prokuroria e vendit tonë, ka pezulluar hetimet e mëtejshme. Memorie.al

 

Nga Prof. As. Dr. Simon Gega

“Prof. Dr. Bardhyl Çipi, është ndër figurat qendrore të shkencës së Mjekësisë Ligjore, në rrugën e trashëgimisë së babait, profesorit të nderuar, Dr. Spiro Çipi”

Prof. Dr. Bardhyl Çipi, është ndër figurat qendrore të shkencës së mjekësisë ligjore. Kjo jo vetëm për faktin se është në rrugën e trashëgimisë së babait, profesorit të nderuar, Dr. Spiro Çipi, por sepse  eksperienca e gjatë për një gjysmë shekulli në këtë fushë, e ka bërë atë aq të “dashuruar” me shkaqet e “vdekjes”, sa që jemi të bindur se ai nuk ka vdekje kurrë me veprën që i lë brezave.

Tek merrja të shkruaj këto rreshta, vështirësia për të gjetur fjalët që duhen, më dukeshin shumë më të vështira se sa studimi i rasteve, që profesor Bardhyli ka bërë në gjithë jetën e tij,  për të arritur te saktësia e përfundimit të studimit. Kjo sepse, Profesor Bardhyli, ka një personalitet që të imponon respekt.

Ai është një personalitet që shëmbëllen edhe në jetën e përditshme, si një njeri i mbyllur, si një “kasafortë”, që ruan shumë sekrete brenda. Mbase edhe kjo ndodh, pasi shumë gjëra në jetë ikin me njeriun që i di dhe kjo, bëhet për të ruajtur ekuilibrat e zhvillimit dhe dinamikën e jetës.

Te profesor Bardhyli, shohim dy kontraste të kundërta, një personalitet i heshtur që lexohet me vështirësi dhe një personalitet tek i cili, gjen gjithçka që të duhet, nëse arrin ta kuptosh dhe ta lexosh jetën dhe veprimtarinë e tij. Ai është i gjithanshëm dhe i gatshëm ,për ato që di dhe bën.

Mjekësinë Ligjore, nëpërmjet profesor Bardhylit, unë e kam konceptuar krejt ndryshe nga ekspertët apo materialet që ata kanë botuar; pjese e këtij “kolazhi shkencor”, është edhe profesor Bardhyli. “Mjekësinë ligjore”, e shoh si një disiplinë shkencore, e cila materializon objektin me subjektin në përjetësi.

Në këtë kuptim Profesor Bardhyli, nëpërmjet shkrimeve të tij, publikimeve apo referimeve, orëve të leksioneve apo të diskutimeve akademike, ka sjellë në vëmendje pikërisht këtë fakt se, si është zhvilluar kjo shkencë, paralelisht me sofistikimin e krimit ndaj jetës.

Studimet e Profesor Bardhylit, të tërheqin për faktin se gjuha e përdorur në analizën e rasteve, është e thjeshtë dhe shkencore, e kuptueshme dhe përcjell në ҁdo rast, një apel të fuqishëm: “Mjetet e krimit janë të ndryshme, zhvillohen në pafundësi, por ekspertit të mjekësisë ligjore, nuk i shpëton as mënyra e as mjeti i krimit, sado e largët të jetë distanca kohore”.

Kjo flet shumë, dhe për këtë arsye, respekti për këtë personalitet të Mjekësisë Ligjore, nuk mund të jenë, as këto dy fjalë të mija, e as me mijra fjalë e, të gjithë studentëve të tij. Për të flet e do të flasë jeta dhe vepra qe i ka transmetuar, i transmeton dhe do t’u lërë brezave.

Mirënjohje pa fund, për kontributin që ai ka dhënë edhe si pedagog, në programin e studimit në Bachelor dhe Master të shkencave të së Drejtës Penale, në Kolegjin Universitar të Biznesit në Fakultetin e Drejtësisë.

Figura dhe personaliteti i tij, janë model për këdo dhe ka qenë kënaqësi e veҁantë për mua, që kisha rastin ta njihja nga afër. E vlerësoj kohën me të cilën bashkëpunuam, si një vlere e shtuar në jetën time, por veҁanërisht për kolegjin Universitar të Biznesit, ka qenë dhe do të mbetet një ndër stafet akademike elitë të tij. Memorie.al      



Read it all at Bota Sot