“Rrëzojeni Enverin, do jemi besnikë ndaj Jugosllavisë”, letrat e Koliqit për Titon pas prishjes së miqësisë në ‘48! Si i shpëtoi jetën Petro Markos pas arrestimit

- Bota Sot

“Rrëzojeni Enverin, do jemi besnikë ndaj Jugosllavisë”, letrat e Koliqit për Titon pas prishjes së miqësisë në ‘48! Si i shpëtoi jetën Petro Markos pas arrestimit

Më 20 maj të vitit 1903 lindi në Shkodër shkrimtari, përkthyesi, gazetari, mësuesi e botuesi Ernest Koliqi.  Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi dje këtë erudit, i cili ia kushtoi jetën e tij kryesisht letërsisë, por nuk i mungoi as skenës politike.

Pas pushtimit nga Italia, Koliqi u emërua ministër i Arsimit dhe më vonë kryetar i Këshillit Korporativ Fashist. Përtej kritikave për rolin e tij në politikë, veprat si “Hija e maleve”, “Tregtarë flamujsh” dhe “Pasqyrat e narcizit”, janë ato që e vendosin në piedestal të letërsisë. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Koliqi jetoi në Romë ku drejtoi revistën “Shejzat” si dhe katedrën e Gjuhës Shqipe, mbi bazën e së cilës u ngrit edhe Instituti i Studimeve Shqiptare. Në vitet ’60 nisi përkthimin e “Lahutës së Malcis” në italisht dhe punoi edhe për të tjera vepra në mënyrë që të huajt të njihnin letërsinë shqipe.

JETA

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Fillimisht në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia dhe pastaj në Bergamo. Me nxënës të tjerë hapi gazetën “Noi giovani” (shq.: “Ne të rinjtë”), ku botoi poezitë e para në italisht. U kthye në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjës, mësoi shqipen dhe falë njohjes me Gurakuqin njihet me të rinjtë Thaçi, L. Ashiku, Shuk e Karl Gurakuqi, Dom Shantoja, Kolë e Gjon Kamsi. Më 1921 fitoi çmimin e parë në një konkurs për himnin kombëtar, juria e të cilit qe e përbërë prej Fishtës, Nolit, Frashërit e Gurakuqit. Në mars-prill mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Zef Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Mjedës. Mbas Lëvizjes së qershorit, Gurakuqi e thërret në Tiranë si sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej të shuarit Rustemi, drejtuar tashmë nga Zai Fundo. Kaloi më pas si sekretar në Ministrinë e Brendshme, ku ministër ishte kolonel Shala.

STUDIMET

Me rikthimin e Zogut në pushtet në dhjetor të 1924, doli në mërgim drejt Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, ku studioi gjuhën dhe letërsinë serbo-kroate. Qëndroi për dy vjet në Tuzla të Bosnjës. Më 1928 gjendej në Bari të Italisë. Në Zara të Dalmacisë botoi më 1929 përmbledhjen e parë me novela “Hija e Maleve”. U kthye në Shqipëri dhe nisi punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33). Nisi të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç u thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante pas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij, të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbas lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924. Më 1933 dha dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes “Illyria”, ku do të botonte poemthin në prozë “Quattuor”. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 u zbulua Migjeni me vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërua lektor të shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Tagliavini. Më 1937 doktoroi po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si Jokli, Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i gjuhës shqipe. Ishte në krye të grupit që përgatiti agresionin e 7 prillit ndaj Shqipërisë. Koliqi thërret pikërisht Mustafa Krujën për të hyrë në bisedime mes mërgimtarëve shqiptarë dhe autoriteteve italiane.

MINISTRI

Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në prill 1939, Koliqi u emërua ministër i Arsimit në qeverinë kolaboracioniste të Shefqet Vërlacit. Koliqi mbylli pothuajse të gjitha shkollat e huaja joitaliane në Shqipëri. Liceu francez në Korçë, i cili ishte qendra kryesore e kulturës frënge në Shqipëri, u mbyll me arsyetimin e Koliqit se ishte çerdhe e përhapjes së ideve armiqësore ndaj sistemit fashist. Gjatë kohës sa qe ministër i arsimit, u bënë ndryshime në programet dhe tekstet shkollore; u futën lëndë të reja si: edukata fashiste, mësimi i fesë dhe kulturës romake, ndërsa gjuha italiane u bë e detyrueshme. Shkollat e mesme u mbushën me mësues dhe drejtues italianë, kurse drejtuesit shqiptarë pak nga pak u mënjanuan. Për të përforcuar kontrollin e fashistëve mbi shkollën, ministri Koliqi në tetor 1939 propozoi që emërimet e mësuesve dhe të drejtuesve të shkollave të kalonin nëpër filtrin e Partisë Fashiste. Me Mustafa Krujën dhe P. Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940. Themeloi dhe drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Tokave të lirueme. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumëçmuar, që nuk dha rezultat. Koliqi është quajtur eminenca gri e Italisë në Shqipëri.

FONDACIONI

Në funksion të edukimit fashist, u krijua fondacioni “Skënderbeu”, në gjirin e të cilit u mblodh Instituti i Studimeve Shqiptare. Me propozim të Koliqit në të u mblodhën emra të njohur të kulturës dhe shkencës, shqiptarë dhe italianë, si dhe ideologë fashistë të kohës. Ministria e Arsimit në qeverinë pasardhëse Kruja pati si pasues Xh. Kortshën. Duke dhënë dorëheqjen, Koliqi kësodore i përkushtohet drejtimit të Institutit, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën. Në zgrip e kapitullimit të Italisë fashiste, më 1942 zëvendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit të Epërm Korporativ Fashist deri më 1943. Në vjeshtën e 1943 prej portit të Tivarit shkoi në Itali me familjen dhe të afërmit e tij.

MËRGIMI

Më 1943 në Romë vazhdoi punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e P. Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 u krijua partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjur veprës së Mark Gjon Markut. Kur Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë në 1948, mërgimtarët, mes të cilëve edhe Koliqi, i dërgonin letra Titos me anë të të cilave e ftonin atë ta sulmonte Shqipërinë, ta rrëzonte Hoxhën dhe t’ua linte vendin atyre. Ata i premtonin Titos se Shqipëria e tyre do të ishte mike besnike e Jugosllavisë. Në mars të 1947 themeloi dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”. Në Itali, themeloi të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet. Kjo revistë qe vijimësi e traditës publicistike që la në Shqipëri me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën vend ku të kultivonin kulturën shqiptare në Itali. Koliqi ndihmoi talente të shumë fushave të ikur nga ish-Jugosllavia duke iu dhënë hapësirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori Lin Delija, shkrimtarët Camaj e Karakaçi dhe etnologu Malaj. Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emërua presidenti. Koliqi u lidh shumë me komunitetet arbëreshe të Italisë, me të cilët mbajti një marrëdhënie të ngushtë akademike dhe miqësie. Ai shpesh shkonte në Palermë dhe Kozencë. Më 4 maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Vdekja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvendësueshme e shpejtoi edhe vdekjen e tij. Koliqi vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975 dhe u varros me datën 18 janar. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshme, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.

STUDIMET

Nisi të botonte nga viti 1954 deri më 1961 studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese” (“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij. 1959 – Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 – Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. 1965 – Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. Teksti i historisë së letërsisë shqipe i vitit 1983 i referohej pasivisht si “Koliqi tradhtari” për shkak të bashkëpunimit me fashizmin. Themeloi dhe drejtoi revista ku u botuan dhe trajtuan letërsia e kultura shqiptare si: “Ora e Maleve”, “Shkëndija”, “Shêjzat”, etj.. Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj.



Read it all at Bota Sot